Përkundër tentimeve për të arritur marrëveshje koalicioni për formimin e Qeverisë, tash e tre muaj LVV dhe LDK, nuk po bien dakord.
Mos arritja e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës po shihet tani si papërgjegjshmëri politike e të dyja partive.
Këto vonesa mund të shkaktojnë probleme të shumta, madje edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Analisti politik, Shkelzen Maliqi, u ka dërguar mesazh Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një shkrimi të shkurtër në Facebook, ka thënë se cilado parti që lëshon pe, do të jetë fituese e votuesit sipas tij të zhgënjyer.
“Ai që lëshon pe në bllokadën aktuale të bërjes së koalicionit do të jetë fitues te votuesit e zhgënjyer post-zgjedhor, kurse kokëforti humbës”, ka shkruar Maliqi.
Për mos-formimin e Qeverisë, ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Thaçi ka thënë se e ka nënshkruar nominimin e Albin Kurtit për kryeministër, dhe se ai duhet ta pranojë ose në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin.
Presidenti theksoi se i mbetet kryetarit të partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit që ta bëjë hapin, ndryshe duhet ta deklarojë refuzimin si mandatar për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
“Koha po kalon… Unë duke menduar që do ta pranon, sepse është një rregull i pashkruar…, e kam nënshkruar atë ditë nominimin e zotit Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës. Ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk kalon kohë të gjatë dhe zoti Kurti që të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/