Site icon Telegrafi

Maliqi analizon sulmet terroriste në veri, thotë se shërbimet serbe dhe ruse kanë pasur qëllimin e inskenimit të masakrës në Manastirin Banjska

Analisti Shkelzen Maliqi ka reaguar pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhën ditën e diel në veri, ku një polic u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Maliqi thotë se terroristët e shërbimeve sekrete dhe ruse kanë pasur për qëllim inskenimin e masakrës në Manastirin Banjska, dhe pastaj të fajësohet Policia e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Terroristët e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, si duket e kanë pas qëllimin e inskenimit të masakrës në Manastirin Banjska, ku viktimat do të ishin pelegrinët nga Vojvodina dhe murgët serbë, për ta akuzuat pastaj policinë e Kosovës si terroriste dhe kështu nxitur rebelimin e serbëve më veri dhe arsyetuar intervenimin ushtarak për gllabritjen e Veriut të Kosovës”, thekson ai.

Sipas Maliqit, ky nuk është skenar i panjohur.

“Kështu ka qenë e organizuar masakra në kazermën e Paraqinit ku u vranë në gjumë pesë ushtarë të armatës jugoslave dhe si vrasës u akuzua shqiptari Aziz Kelmendi, i cili u gjet i vramë në një pyll afër kazermës dhe u tha se e ishte vetëvrarë. Pas rastit të Paraqinit Sllobodan Milisheviqi morri pushtetin e plotë në Serbi dhe nisi projektin e shkatërrimit të Jugosllavisë për ta krijuar Serbinë e madhe”, theksoi ai në postimin e bërë në Facebook.

Lexo po ashtu Vrasja e policit në veri – reshterit Bunjaku sot i jepet lamtumira e fundit

Tutje, ai ka shtuar se i ngjashëm ka qenë edhe rasti i vrasjes së 5 të rinjëve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, për të cilin vetë presidenti Vuçiq ka pranuar publikisht se ka qenë i organizuar nga shërbimet sekrete serbe për ta paraqitur si krim të UÇK-së dhe shpallur atë, organizatë terroriste dhe jo çlirimtare.

“Prindëritë e viktimave në rastin Panda prej kohësh kërkojnë nga Vuçiq që të tregojë në prokurori të vërtetën se kush janë vrasësit e të rinjëve serbë, por ai po i shmanget premtimit se do ta bën këtë, me gjasa u bë pishman se e ka përmend fare”.

Analisti deklaron se Banjska mund të jetë rast të ndriçohen edhe strategjia e inskenimit të krimeve makabre

“Banjska mundët të jetë rast që të ndriçohen edhe strategjia e inskenimit të krimeve makabre për të arritur kthesa historike jo vetëm si atë në Paraqin dhe Pejë por edhe në disa raste të ngjashme në lufën e Bosnjës, p.sh. Vrasjen me snajper të qiftit të dasmorëve serb në Sarajevë pas të cilit akt filloi lufta dhe rrethimi gati katërvjeçar i Sarajevës.

Nëse kjo vërtetohet në hetimet, e informatat dhe gjurmët çojmë në atë drejtim, policia dhe inteligjenca kosovare, me gjasa në bashkëpunim me atë perëndimore, do të arrijë një fitore të madhe në demaskimin e kësaj ligësie makabre me rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thotë mes tjerash ai. /Telegrafi/

Exit mobile version