Milani po tenton një tjetër goditje të madhe nga Real Madridi pas asaj të Theo Hernandez.
Legjenda e kuqezinjve, Paolo Maldini e ka në krye të dëshirave transferimin e anësorit Lucas Vazquez.
Calciomercato ka raportuar se Maldini ka trokitur në dyert e gjigantit spanjoll për të pyetur për situatën e lojtarit.
29-vjeçari është një nga lojtarët më të dashur nga trajneri Zidane, por ai është futur në vitin e fundit të kontratës dhe ende nuk ka një marrëveshje për vazhdimin e saj.
Këtë po mundohet ta shfrytëzojë Milani që ka kërkuar afrimin e lojtarit qysh në afatin kalimtar të janarit.
Rossonerët janë të gatshëm të shpenzojnë deri në gjashtë milionë euro për ta marrë lojtarin tani.
Në rast se Reali nuk pranon largimin e Vazquezit në janar, atëherë Maldini synon që të arrijë marrëveshje personale me lojtarin që ky i fundit t’iu bashkohet në verë si transferim i lirë.
Reprezentuesi spanjoll këtë edicion është aktivizuar në 21 ndeshje me Los Blancos në të gjitha garat ku ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në tre të tjerë.
Vlen të theksohet se në garë për spanjollin përveç Milanit mbetet edhe gjiganti anglez Manchester United. /Telegrafi/