Site icon Telegrafi

Makineria e Fabrikës së Tubave po çmontohet dhe shitet në Maqedoni

Makineria e Fabrikës së Tubave në Ferizaj ka filluar të çmontohet dhe të shitet në Maqedoni. Ky informacion që ka filluar të qarkullojë ditëve të fundit nëpër Ferizaj, si duket po del që të jetë i vërtetë. Një informacion të tillë e kanë konfirmuar të dielën edhe drejtues të Sindikatës së kësaj fabrike, të cilët njëherësh edhe e kanë kundërshtuar këtë veprim të menaxhmentit drejtues.

Kryetari i sindikatës, Ali Azemi, ka thënë për Kosovapress se ky informacion është i vërtetë dhe bazuar në informacionet që ka sindikata. Sipas tij, pjesa më e madhe e makinave të repartit të ri tashmë është duke u çmontuar dhe është duke u bartur për në Maqedoni.

Azemi ka thënë se këtë veprim të menaxhmetit e kanë konfirmuar punëtorët që janë ende në marrëdhënie pune aty.

Sindikata ka paralajmëruar që gjatë ditëve në vijim të protestojë publikisht për këtë veprim të menaxhmentit, të cilët sipas drejtuesve të sindikatës nuk e kanë të drejtën ta bëjnë këtë ngase fabrika më parë duhet të shkojë në falimentim e tek më pastaj të nisin procedurat e shitjes.

Të kontaktuar nga Kosovapressi, disa punëtorë të kësaj fabrike në kushte anonimiteti kanë lënë të kuptojnë se diçka është duke ndodhur me makinerinë e repartit të ri. Ata janë shprehur se kjo nuk është diçka e re dhe se i tërë opinioni ferizajas din për këtë veprim të menaxhmentit.

Aktualisht në këtë fabrikë, e cila dikur ka qenë gjigant jo vetëm i Ferizajt por i Kosovës dhe rajonit, janë të punësuar më pak se 100 punëtorë. /KP/

Exit mobile version