Komandanti i ushtrisë ukrainase në qytetin port Mariupol, ka thënë se forcat e vendit të tij që janë stacionuar në fabrikën e çelikut Azovstal, “nuk do të ulin armët” dhe se do të vazhdojnë të luftojnë kundër forcave ruse, shkruan Washington Post.
Majori Serhiy Volyna nga brigada e 36-të, i ka thënë kësaj të përditshme se ushtarët ukrainas do të vazhdojnë të “zhvillojnë operacionet ushtarake për të përmbushur detyrat të cilat u janë dhënë”, transmeton Telegrafi.
Në videon e dërguar Washington Postit, ky komandant gjithashtu i ka kërkuar liderëve botërorë që t’i ndihmojnë të sigurojnë një largim të sigurtë për civilët në Mariupol.
“Kjo është adresa jonë për botën. Ky do të mund të ishte mesazhi i fundit. Mund të kemi ndoshta edhe pak ditë apo orë. Forcat e armikut janë dhjetëra herë më të mëdha sesa tonat. Ata kontrollojnë hapësirën ajrore, artileri e në tokë”, shtoi Volyna.
Majori ukrainas ka theksuar se “janë duke mbrojtur një kompleks brenda fabrikës së çelikut ku ka të strehuar mjaft civilë”.
“Po i adresohemi liderëve botërorë që të na ndihmojmë. Po u kërkojmë procedura të përshpejtuara. Në Mariupol janë mbi 500 ushtarë të plagosur dhe mijëra civilë – përfshirë gra e fëmijë. /Telegrafi/