Site icon Telegrafi

Majlinda për TIME: Ushtroj çdo ditë prej katër deri në gjashtë orë

Majlinda Kelmendi ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze javore amerikane TIME dhe ka thënë se “ende nuk po mund ta besoj se më të vërtetë ka ndodhur”, kur ka folur për ngjitjen në podium dhe pasjen e medaljes së artë rreth qafe.

“Ishte një moment i mrekullueshëm, diçka që gjithmonë kam ëndërruar, por ende nuk mund ta besoj se ka ndodhur”.

“Në Kosovë kam parë se të gjithë po festojnë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të festohet kur të kthehem atje”.

Lexo po ashtu Kosova dominuese në Rio 2016, renditet në vendin e parë (Foto)

“Familja ime janë krenarë për mua dhe e kam shijuar edhe unë faktin se i kam bërë krenarë, sidomos prindërit e mi”.

“Për një kohë të gjatë atletët e Kosovës nuk kanë pasur mundësinë e përfaqësimit të vendit, ndaj është e mrekullueshme që në Olimpiadën e parë rrëmbyem të artën”.

Majlinda ka folur edhe për kohën kur kishte përfaqësuar Shqipërinë në lojërat e kaluara olimpike, njofton Klan Kosova.

“Ne jemi i njëjti popull sikur në Shqipëri. Prandaj garimi për Shqipërinë dhe tani për Kosovën tregon se unë kam përfaqësuar popullin tim gjithmonë”.

TIME shkruan edhe për pakënaqësinë e Serbisë për fitoren e Majlindës dhe raportimin e shtrembëruar të mediave në Serbi.

Lexo po ashtu Majlinda nuk është e vetmja, ja sa sportistë shqiptarë kanë fituar medalje olimpike (Foto)

E pyetur nga TIME se cilat janë planet e saj për të ardhmen, Majlinda ka thënë se e ka ndërmend të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike në Tokyo 2020, por kur ta përfundojë karrierën, atëherë do të merret me gjeneratat e reja për t’u treguar “bukurinë e sportit të xhudos”.

“Përgatitjet për Olimpiadë janë të vështira. Unë ushtroj çdo ditë prej katër deri në gjashtë orë që shumë vite – por kam parë që puna shpaguhet. Dua të fitoj krejt çka fitohet në xhudo në këto vite që më kanë mbetur ndaj do të vazhdoj të punoj fort”.

Për TIME ka folur edhe trajneri i Majlindës, Driton Kuka. Ai ka thënë se kur Majlinda fitoi të artën është ndjerë “sikur në ëndërr”.

Majlinda ka thënë se kohën që i ka mbetur në Rio e ka ndërmend ta kënaq pak veten dhe të shijojë bukuritë e Rios, para se të kthehet në Kosovë si heroina olimpike e vendit.

Exit mobile version