Majlinda Kelmendi ka triumfuar në Lojërat Olimpike të Rios. Kosova, për herë të parë në historinë e saj, përmes saj ka siguruar medalje të artë olimpike dhe kjo ka bërë që Kelmendi të jetë një temë qendrore e mediave botërore.
Këto të fundit, pos që raportuan për arritjen e madhe të xhudistes kosovare, shkruan se në qershor të këtij viti, Majlinda kishte refuzuar të kryejë testin e dopingut në Francë.
Këto shkrime i kishte hedhur poshtë kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, i cili kishte thënë se nuk ka asgjë të vërtetë për këtë dhe se bëhet fjalë për trillime të qarqeve të ndryshme që nuk ia duan të mirën sportit të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Kjo gjë është vërtetuar edhe pas fitimit të medaljes së artë nga Majlinda Kelmendi, e cila ka pasur një test të dopingut.
Një burim i Telegrafit, i afërt me xhudistin kosovare, ka thënë se Majlinda e kaluar me sukses testin e dopingut në Lojërat Olimpike.
“Menjëherë pas fitimit të medaljes, Majlinda është testuar për doping, ku ka rezultuar se është e pastër. Po të ndodhte e kundërta, deri tash Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do t’ia merrnin medaljen e artë. Edhe njëherë është dëshmuar se sportistet tona, pa kurrfarë substanca të ndaluar,a arrijnë suksese”, ka thënë ky burim për Telegrafin.
Kujtojmë se ditëve të fundit, mediat serbe, nga ku janë referuar edhe ato franceze dhe britanike, raportuan se xhudistes pejane mund t’i merret medalja e artë.
Vlen të ceket se Majlinda do të rikthehet në vendlindje të dielës, ku mësohet se do të mirëpritet prej liderëve kryesorë të institucioneve kosovare. /Telegrafi/