Site icon Telegrafi

Majlinda Kelmendi, pritet me ovacione në Prizren

Sot në mesditë, kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, e shoqëruar nga trajneri i saj, Driton Kuka, ka vizituar SHFMU “ Emin Duraku” me ç’rast asaj i është bërë pritje madhështore në sallën e edukatës fizike nga nxënësit, mësimdhënësit dhe stafi i kësaj shkolle.

Para të pranishmeve ka folur drejtori i këtij institucioni arsimor, Rrahim Bekteshi, i cili tha se është nder për shkollën tonë për vizitën ambasadores më të fuqishme mbarëshqiptare, Majlinda Kelmendi, e cila me të arriturat e deritashme në sportin e xhudosë është nderi i Kombit tonë, theksoi ai.

Ndërkaq, trajneri i Majlindës, Driton Kuka, tha se lavdinë që e bënë ushtarët e Lirisë për çlirimin e Kosovës, po e vijon Majlinda me shokë e shoqe në arenën sportive ndërkombëtare. Vet Majlinda Kelmendi, falënderoi për pritjen e ngrohtë që i është bërë asaj dhe trajnerit Kukan ë këtë shkollë, dhe porositi nxënësit që krahas sukseseve të treguara në mësime, ata të merren edhe me sport, sepse aty mund të gjejnë frymëzim për një jetë më të suksesshme, theksoi ajo, transmeton tv Prizreni.

Në emër të nxënësve, për vizitën e sportistes kulminante dhe trajnerit të saj, ka shprehur falënderime , Elisa Bytyçi, e cila tha se sukseset e Majlindes janë inspirim për gjeneratat e reja në shtetin më të ri në Evropë. Me rastin e kësaj vizite është shfaqur edhe një program i pasur artistik nga nxënësit e shkollës dhe ata të edukimit parafillor, ndërsa Majlinda Kelmendit i janë bërë dhurata të ndryshme, të cilat i kishin përgatitur nxënësit e kësaj shkolle.

Ndryshe, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka,kanë lënë pak anash përgatitjet për Lojërat Olimpike Verore “ Rio 2016”, pasi që janë duke realizuar vizita të shumta nëpër institucione shkollore anembanë vendit tonë.

Exit mobile version