Ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi si dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, të shoqëruar nga Behgjet Pacolli, këtë të enjte vizituan ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Përshtypjen e tij nga kjo vizitë e ka dhënë ish-kryeministri Pandeli Majko.
Ai thotë se kjo vizitë ishte për t’iu gjendur në krah atyre dhe për të mbrojtur emrin e UÇK-së.
“Sot, në burgun e Hagës me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Hashimi i qetë. Kadria i qartë. Jakupi i sprovuar. Rexhepi i papërsëritshëm. Për t’ju gjendur në krah, betejës së fundit, për të mbrojtur emrin e UÇK-së! Jam krenar për vëllezërit e mij”, ka shkruar Majko, transmeton Telegrafi.
Kjo vizitë u realizua me iniciativë të kreut Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili kishte ftuar edhe ish-presidentët e Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake./Telegrafi/