Telegrafi

Macron uron Osmanin për Ditën e Pavarësisë: Vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në letrën e urimit dërguar Presidentes Osmani, Presidenti Macron përshëndet dinamizmin e Kosovës dhe përparimin mbresëlënës të bërë që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian.

Në telegramin e urimit për 16-vjetorin e Pavarësisë, Macroni ka thënë se shpreson që Kosova të marrë “vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren e saj evropiane”.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën e Macronit, të publikuar nga Presidenca e Kosovës.

Macroni ka lavdëruar “përparimin mbresëlënës të bërë që nga pavarësia, 16 vjet më parë”.

Ai ka shtuar se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe ka inkurajuar që të vazhdohen reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke vlerësuar se sfidat më 2024 janë të shumta për shkak të luftës në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Macroni ka deklaruar se “në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”. /Telegrafi/