Telegrafi

Macron: Prishtina të pranojë Asociacionin, Vuçiqi të dënojë sulmin në Banjskë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është treguar i prerë me Kosovën dhe Serbinë duke e thënë qartë se plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve duhet të respektohet nga të dyja palët, të mbahen sa më parë zgjedhjet në komunat veriore, si edhe të njihet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ai në një konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë ka kërkuar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta dënojë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, dënimi i sulmit nga Vuçiqi kontribuon në rikthimin e qetësisë në veri.

Lexo po ashtu “Franca pezulloi vizat për Kosovën”, Macron: Pres përgjegjshmëri nga Kurti e Vuçiq

“Sic e dini, ne ndjekim me vigjilencë tensionet qe ekzistojnë mes Serbisë dhe Kosovës. Franca e Gjermania kanë bërë një udhërrëfyes që unë mendoj se është i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e Vuçiqit të dënojë aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi”, ka deklaruar ai.

Macron tutje ka thënë se autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë duhet t’i riorganizojnë zgjedhjet në veri dhe të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje.

“Ajo që presim nga autoritetet kosovare e serbe është riorganizimi i zgjedhjeve në komunat në veri, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e Asociacionit nga autoritet kosovare plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, ka shtuar ai. /Telegrafi/