Site icon Telegrafi

Macron pranon dorëheqjen e kryeministrit francez

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Gabriel Attal.

Ky i fundit ka qenë në këtë pozicion vetëm që nga fillimi i vitit ndërsa qeveria e 35-vjeçarit do të qëndrojë deri në përfundim të Olimpiadës së ardhshme të Parisit, ku më pas do të emërohet kreu i ri i qeverisë.

Ish-kryeministri dhe kabineti do të jenë vetëm si qeveri kujdestare për sigurimin e vazhdimësisë së punëve të shtetit, raporton euronews.

Lexo po ashtu Gjysmë-hebre, homoseksual dhe kryeministri më i ri në histori - kush është Gabriel Attal, kreu i ri i qeverisë franceze

Në parim, asnjë masë politike nuk mund të merret gjatë kësaj periudhe nga qeveria e përkohshme.

Edhe pse kjo situatë mund të funksionojë gjatë fazës së tranzicionit, ajo do të përbëjë qartë një problem demokratik nëse zgjat për një kohë të gjatë, veçanërisht duke pasur parasysh se negociatat për zëvendësimin e kryeministrit kanë qenë të mbushura me komplikime pas zgjedhjeve legjislative të Francës.

Aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor (NFP) që fitoi më shumë vende në zgjedhjet legjislative po tregon qartë ndarjet dhe paaftësinë për të arritur çdo formë kompromisi.

Të hënën në mbrëmje, socialistët, komunistët dhe të gjelbrit ranë dakord për “një kandidat të përbashkët që vjen nga shoqëria civile të quajtur Laurence Tubiana”.

Kjo e fundit është një diplomate dhe ekonomiste, një nga aktorët kryesorë në hartimin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën në vitin 2015.

Por, kandidatura iu refuzua nga partia kryesore brenda aleancës së majtë, France Unbowed (LFI).

Lexo po ashtu Macron zgjedh Gabriel Attal - ky i fundit bëhet kryeministri më i ri në historinë moderne franceze

Të martën në mëngjes, Manuel Bompard, koordinatori i France Unbowed e konsideroi kandidaturën e saj si “jo serioze”.

Disa nga deputetët e partisë besojnë se ajo është shumë e afërt me Emmanuel Macronin pasi Tubiana shkroi një opinioni që bën thirrje për një koalicion me partinë e Macronit.

Kandidatura e saj do të ishte një “braktisje e programit” të paraqitur nga Fronti i Ri Popullor. /Telegrafi/

Exit mobile version