Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka veçuar Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e presidencës së ardhshme franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Në një konferencë për shtyp në Paris, Macron tha se një perspektivë e qartë evropiane e Ballkanit Perëndimor, investimi në unitetin e rajonit dhe ambiciet e përbashkëta të BE-së dhe rajonit janë punët për të cilat duhet punuar në periudhën e ardhshme.
“Ballkani Perëndimor është më shumë se një fqinjë. Ballkani është zemra e Evropës”, tha i pari i shtetit francez.
Le moment que nous vivons est rare. Dans l’Europe à 27, la France exerce la Présidence une fois tous les treize ans. Le 1er janvier 2022, nous aurons la responsabilité de porter des ambitions pour l’Europe. Ce que nous ferons :https://t.co/ICGvyPaENP
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) December 9, 2021
Duke paraqitur prioritetet e presidencës franceze të BE-së, Macron deklaroi se Ballkani Perëndimor sot është sërish i mbushur me tensione dhe vuri në dukje se BE-ja ka një “përgjegjësi të veçantë” kur bëhet fjalë për këtë rajon.
“Ne duhet të ndjekim një politikë riangazhimi dhe investimi për integrimin ekonomik të rajonit. Ne duhet të luftojmë kundër manipulimit të disa fuqive rajonale që duan të destabilizojnë Evropën përmes Ballkanit. Puna politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor është punë e sovranitetit të Evropës”, tha Macron.
Presidenti francez paralajmëroi gjithashtu se në 50 vitet e ardhshme nuk do të jetë e mundur të flitet për një “Evropë të paqes” nëse Ballkani Perëndimor “lihet në situatën në të cilën ndodhet tani”. /Telegrafi/