Site icon Telegrafi

Macron pas takimit me presidentin ukrainas: Unë besoj se është e mundur që kriza të de-përshkallëzohet

Presidenti francez, Emmanuel Macron, lideri i parë perëndimor që u takua me presidentin rus, Vladimir Putin që nga koha kur trupat ruse iu afruan kufirit me Ukrainën, tha se ai besonte se mund të ndërmerren hapa për të de-përshkallëzuar krizën dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të qëndrojnë të qetë.

Macron, i cili, ndryshe nga udhëheqësit britanikë dhe amerikanë, reduktoi mundësinë që Rusia të sulmonte së shpejti fqinjin e saj, fluturoi nga Moska në Kiev të martën, ku u takua me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Francezi po tenton të jetë ndërmjetës, por deri tani nuk ka ndryshime të mëdha. Megjithatë, Macron tha se ai mendon se bisedimet ndihmuan në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm. Putin dhe Zelensky i thanë atij se ishin të përkushtuar ndaj parimeve të marrëveshjes së paqes të vitit 2014, raporton cnn.

Ai shtoi se marrëveshja, e njohur si Protokollet e Minskut, është një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ekzistuese.

“Ky angazhim i përbashkët është mënyra e vetme për të krijuar paqe, e vetmja mënyrë për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme politike”, tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me Zelenskyn.

Lexo po ashtu Gjenerali i pensionuar rus kundër Putinit: Jep dorëheqje, po krijon konflikt artificial me Ukrainën

“Qetësia në fjalë dhe vepra është e nevojshme për të gjitha palët”, tha Macron, duke lavdëruar Zelensky për “qetësinë që ai dhe populli ukrainas po tregojnë” ndërsa përballen me presionin ushtarak.

Ai më parë mbrojti rezultatin e bisedimeve në Moskë, megjithëse ato nuk çuan në një ndryshim të madh. Ai u tha gazetarëve se nuk priste “asnjë sekondë” që Putin të bënte lëshime. /Telegrafi/

Exit mobile version