Site icon Telegrafi

Macron: Franca do të ndërtojë të paktën gjashtë termocentrale bërthamore

Franca do të ndërtojë të paktën gjashtë reaktorë bërthamorë në dekadat e ardhshme, njoftoi presidenti francez, Emmanuel Macron, duke e vendosur energjinë bërthamore në qendër të përpjekjeve të vendit për të arritur në zero emetim të gazrave deri në vitin 2050.

Macron tha se reaktorët e rinj do të ndërtohen dhe operohen nga EDF, në pronësi të shtetit, për të cilin do të ndahen dhjetëra miliarda dollarë. Duke premtuar se do të rrisë numrin e paneleve diellore, ai pohoi gjithashtu se dëshiron të zgjasë jetën e termocentraleve ekzistuese bërthamore nga 40 në 50 vjet.

“Ne francezët jemi të lumtur që jemi në gjendje të llogarisim në një industri të fortë bërthamore dhe qindra mijëra vende pune”, tha Macron, duke përshkruar një strategji të re bërthamore në qytetin industrial të Belfort në Francën lindore.

Njoftimi erdhi në një kohë të krizës financiare të EDF, e cila po lufton me korrozionin, i cili ka mbyllur disa reaktorë dhe po përpiqet të sigurojë klientët e huaj se do të zbatojë projektet e dakorduara në kohë.

Lexo po ashtu 11 megavatë për pesë sekonda: Shkencëtarët evropianë thyejnë rekordin e prodhimit të energjisë përmes ‘shkrirjes bërthamore’

Deklaratat e fundit të Macronit konfirmojnë përfundimisht përkushtimin ndaj energjisë bërthamore, shtytësi kryesor industrial i Francës pas Luftës së Dytë Botërore.

Pozicioni i presidentit francez është në përputhje me qëllimin ambicioz të Bashkimit Evropian për t’u bërë neutral ndaj karbonit brenda 30 viteve, me fokus në energjinë, përfshirë ato bërthamore, e cila emeton më pak ose zero gazra serrë sesa lëndët djegëse fosile. Reaktorët e parë të gjeneratës së re EPR duhet të funksionojnë në vitin 2035. /Telegrafi/

Exit mobile version