Site icon Telegrafi

Macron i bën thirrje Izraelit të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza

Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron për BBC.

Në një intervistë ekskluzive në Pallatin Elysee, ai tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për bombardimet, duke thënë se një armëpushim do t’i bënte dobi Izraelit, transmeton Telegrafi.

“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ne i bëjmë thirrje që të ndalojnë këtë bombardim në Gaza”, u shpreh Macron.

Por ai gjithashtu theksoi se Franca “dënon qartë” veprimet “terroriste” të Hamasit.

Ashtu sikurse Franca, edhe Izraeli, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore – e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Kur u pyet nëse donte që liderë të tjerë – përfshirë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar – t’i bashkoheshin thirrjeve të tij për një armëpushim, ai u përgjigj: “Shpresoj se do ta bëjnë.”

Duke folur një ditë pas një konference për ndihmë humanitare në Paris për luftën në Gaza, Macron tha se “përfundimi i qartë” i të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në atë samit ishte “se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se fillimisht një pauzë humanitare, duke shkuar në një armëpushim, i cili do të na lejojë të mbrojmë… të gjithë civilët që nuk kanë asnjë lidhje me terroristët”.

“De fakto – sot, civilët bombardohen – de fakto. Këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar janë bombarduar dhe vrarë. Pra, nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet. Kështu që ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”.

Exit mobile version