Telegrafi

Lyrical Son: Këtë vit do të bëhem baba për herë të dytë, është dhurata më e mirë që mund të marr

Foto: Lyrical Son/Instagram

Lyrical Son është një nga reperët më të pëqyer të estradës shqiptare.

Përveç karrierës së suksesshme në muzikë, ai ndjehet i plotësuar edhe në jetën e tij private, pasi është një bashkëshort dhe baba shumë i përkushtuar në familje.

Lyrical Son dhe bashkëshortja e tij Gresa janë prindër të një vajze, teksa këtë vit pritet të bëhen prindër për herë të dytë.

Lexo po ashtu Në shtëpinë e këngëtarëve për Vitin e Ri 2019: Si e festuan ata natën e ndërrimit të viteve?

Në një bisedë për Telegrafin, reperi ka thënë se fëmija i dytë është dhurata më e bukur që pret gjatë këtij viti.

“Vitin 2019 po presim të jetë një vit sa më i mirë. Është edhe më i veçantë për mua, pasi vitin e ardhshëm do të bëhem sërish baba. Unë dhe bashkëshortja ime, Gresa, presim edhe një vajzë, dhe ky është bekimi më i madh për ne”, ka thënë Lyrical Son për Telegrafin.

Tutje, ai ka treguar edhe në pika të shkurtra se si ka qenë për të në tërësi viti 2018.

“Viti 2018 ka qenë një vit me shumë angazhime, me shumë punë njashtu edhe suksese. Në aspektin profesional, si PINT, po presim që vitin e ardhshëm të sjellim në treg albumin “United States of America” për të cilin kemi punuar shumë fort, mbi dy vite, me producentë e emra të shumtë, dhe ky do të jetë një kurorëzim i madh i punës sonë”, ka thënë reperi.

Në fundin e bisedës, i pyetur se çfarë i mungon sipas tij estradës shqiptare, Lyrical Son thotë se ende ka nevojë për përmirësime.

“Tregut tonë muzikor i mungon muzika, kualiteti dhe disa gjëra tjera. Mirëpo, ne duhet të përkushtohemi që të punojmë sa më shumë, pasi si artistë kemi përgjegjësi për gjeneratat e reja. Duhet të sjellim vlera dhe të reflektojmë te ta për mirë, jo të bëhemi shembull i keq”, ka përfunduar Lyrical Son. /Telegrafi/