Site icon Telegrafi

LVV reagon për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si diplomat në Çeki

Emërimi i djalit të deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, Flakron Shala si Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, ka nxitur reagime të shumta.

Së fundmi për këtë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kreshnik Ahmeti anëtarë i kryesisë së LVV-së, ka ironizuar lidhur me kriteret se si është të bëhesh diplomatë përmes rrugës ligjore dhe si bëhesh kur je djali i një deputeti.

“Rruga e djalit të Haxhi Shales për t’u bërë diplomat:
1. E blen biletën e aeroplanit dhe niset për në mision diplomatik, si shef i misionit diplomatik pa kandiduar asnjëherë e pa punuar asnjë sekondë në MPJD”, ka shkruar Ahmeti.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët e kanë quajtur denigruese dhe fyese për shtetin e Kosovës, emërimin e Shalës në këtë pozitë.

Lexo po ashtu PDK e quan denigruese emërimin e djalit të Haxhi Shalës si Konsull në Çeki, thotë se shteti nuk mbahet me këtë logjikë

Postimi i plotë i Ahmetit:

Si bëhesh diplomat ligjërisht vs si bëhesh diplomat kur je djali i Haxhi Shalës.
Rruga ligjore:
1. Testim dhe intervistim në konkursin e jashtëm për t’u pranuar në MPJD
2. Nëse hapi i parë është i suksesshëm: minimalisht një vit punë në departamentet e MPJD-së dhe shkollim në Akademinë Diplomatike
3. Pas një viti pune fitohet e drejta për të kandiduar për gradën e parë (më të ulët) diplomatike
4. Nëse Drejtori i Përgjithshem e bën propozimin dhe Komisioni për Grada dhe Diciplinë e miraton kandidimin e pastaj Ministri/ja e nënshkruan rekomandimin e Komisionit, fitohet grada e parë (më e ulët) diplomatike
5. Nëse hapi i katërt është i suksesshëm: krijohet mundësia për të kandiduar në konkursin e brendshëm të rotacionit, kur të jetë koha e rotacionit
6. Nëse në garën e konkursit të brendshëm, pas vlerësimit të gradës, aftësive dhe vlerësimeve të eprorit, “mposhtë” në garë kandidatët e tjerë për pozitat e njëjta diplomatike, fitohet pozita për të shkuar në mision
6. Pas konkursit të suksesshëm, duhet të kalohen testet e sigurisë dhe pastaj diplomati niset në mision.
Rruga e djalit të Haxhi Shales për t’u bërë diplomat:
1. E blen biletën e aeroplanit dhe niset për në mision diplomatik, si shef i misionit diplomatik pa kandiduar asnjëherë e pa punuar asnjë sekond në MPJD. /Telegrafi/

Exit mobile version