Lëvizja Vetëvendosje ka folur sot për 14 muaj të qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe sipas tyre, përgjatë kësaj kohe ka pasur më shumë skandale se punë.
Nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi, u shpreh se qeveria e drejtuar nga kreu i AAK-së ka ndikuar në tenderime në projekte infrastrukturore.
“Qeveria ka degraduar ekonominë e shtetit, ka shkelur legjislacionin vendor dhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime për sektorin e ekonomisë, rezultati i tyre është shkatërrimi i konkurrencës, shkelje e marrëveshjes se MSA-së, dëmtim i pronës publike”, tha ai.
Përmes një konference, ai ka thënë se vendimi i qeverisë për zhvendosjen e banorëve të Shipitullës është skandaloz.
“Skandaloz është vendimi i ministrisë së infrastrukturës për t’i paguar 50 milionë euro Bechtel Enkas, Qeveria Haradinaj për 400 dite ka qenë aktive në degradimin e performancës në agjenci te ndryshme. Qeveria ka marrë vendim arbitrar për rritje selektive te pagave, kjo e shkel ligjin”, ka thënë ai.
Sipas partisë së drejtuar nga Albin Kurti, sa më shumë të ndalet kjo qeverisje- aq më e shkurtë do të jetë lista e skandaleve. /KP /Telegrafi/