Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi publik thotë se pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku, Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.
Sipas LVV-së, janë qindra prova për gjithë pjesëmarrësit në atë sulm, transmeton Telegrafi.
“Me 24 shkurt u bënë 5 muaj nga sulmi terrorist i organizuar nga Serbia me qëllim aneksimin e veriut. Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm. Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast”, thuhet në reagim.
Ndryshe, në komunën e Zveçanit, grupe të armatosura të serbëve sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pas sulmit terrorist, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat u tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Sulmi u dënua ashpër në Kosovë dhe nga ndërkombëtaret, ndërsa përgjegjësin për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Për Radoiçiqin organizata ndërkombëtare e policisë INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Përveç tij, INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar edhe për 18 persona të tjerë.
Fletarrestimi për Radoiçiqin dhe të dyshuarit e tjerë është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes UNMIK-ut, pasi që Kosova nuk mund të kërkojë drejtpërdrejt lëshimin e urdhër-arrestit, sepse nuk është anëtare e INTERPOL-it. /Telegrafi/