Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë ka reaguar pas përleshjes që ka ndodhur sot mes aktivistëve të partisë së tyre dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LVV pohon se “aktivistët e tyre janë provokuar nga banditët e Agim Veliut”, transmeton Telegrafi.
“Sot, rreth orës 14:00, para zyreve të Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit.
Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyreve të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimisht aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kamermanit të organizatës sonë”, thuhet në reagimin e LVV-së.
LVV akuzon edhe një polic civil për përfshirje në këtë përleshje.
“Ndër ta qytetarët e pranishëm e kanë identifikuar edhe një person, i cili është polici me emrin Butrint Krasniqi. Ky polic civil, me maskë të LDK-së, ndërkohë është djali i arkatarit të Komunës së Besianës, nipi i ish-komandantit të Njësitit Special për Regjionin e Prishtinës, Amir Gërgurit e shok i afërt i djalit të Agim Veliut. Është e çuditshme se në kohën kur militantët e LDK-së parakalonin duke provokuar para zyreve tona, policia nuk gjindej aty, anipse nga shtabi ynë zgjedhor kishim kërkuar takim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, vijon reagimi.
Më tej, LVV thotë se i dënon këto provokime e sulme të cilat kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor.
“Bandat e Agim Veliut, të gjendura para humbjes i duan me çdo kusht provokimet e tilla me qëllim të frikësimit të qytetarëve. Por, kjo nuk do të ndodhë. Podujeva është përcaktuar për ndryshim. Bandat që kanë udhëhequr komunën tash e 20 vjet nuk do të mund ta ndalin fitoren e qytetarëve”.
Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen ditën e diel (29 nëntor). Në garë për kryetar të kësaj komune janë tre kandidatë: Nexhmi Rudari (LDK), Shpejtim Bulliqi (LVV) dhe Naim Fetahu (PDK). /Telegrafi/