Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sot mbledhjen e Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Pas bojkotimit të mbledhjes, deputetët e LVV-së kanë mbajtur një konferencë për media.
Salih Zyba nga kjo parti akuzoi kryetaren e këtij Komisionit, Ganimete Musliu se pati përpjekje për të tejkaluar kompetencat.
“Pati përpjekje për ta tejkaluar kompetencat e Komisionit tonë, veçanti për me cenu ose denigruar pozicionin e Agjencisë, këtë rast përmes numrit të vogël të deputetëve që nuk treguan se kush janë as thirrësit”, tha ai, duke shtuar se kanë shqetësim për mënyrën e thirrjes së mbledhjes dhe përpjekjes për me i dëmtu proceset në Kosovë.
Sipas tij, është ftuar drejtori i AKI-së pa e ditur deputetët çka është pyetja dhe çka është kërkesa.
Ndërkaq, lidhur me këto ka folur edhe deputeti tjetër, Arbër Rexhaj. Ai tha se LVV nuk mund t’i ndjek agjendat e tyre për të krijuar tema.
“Mbledhja është dashur të thirrur si mbledhje e zakonshme dhe ne do të kishim marrë pjesë në kuptimin siç e bën drejtori i AKI-së. Është thirrur qëllimisht e jashtëzakonshme për të krijuar dramë të cilat në ditët në vazhdim do të shihni të cilat do të keqpërdoren”, tha ai.
Sipas tij, drejtori i AKI qëndroi brenda, por nuk ka të drejtë të qëndrojë brenda sepse mbledhje nuk filloi dhe nuk është votuar as rendi i ditës.
“…ajo mbledhje është e pavlefshme me kuptimin se nuk ka mekanizëm që të vazhdohet tutje”, u shpreh Rexhaj. /Telegrafi/