Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LVV-së tha se në bazë të Kushtetutës kanë marrë vendim që ditëve në vijim t’ia dërgojnë presidentit Hashim Thaçi shkresën zyrtare me emrin e mandatarit për kryeministër, por jo sot.
Arbërie në një deklaratë për media tha se pas kësaj presin që presidenti të dekretojë të propozuarin e tyre dhe letrën formale ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës.
“Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim”.
“…Ndërkohë, siç e dini kanë rifilluar diskutimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ne presim që të finalizojmë marrëveshjen, por ashtu siç e përcakton Kushtetuta, Lëvizja do të dërgojë letër formale te presidenti me emrin e të mandatuarit në ditët në vijim”, tha ajo.
Nagavci tha se presin të dinë konkretisht cilat janë kërkesat e LDK-së dhe diskutimet do të vazhdojnë.
Nënkryetarja e LVV-së tha se takimi i djeshëm ndërmjet Kurtit dhe Mustafës do të vazhdojë sot.
“Presim dhe besojmë që edhe LDK-ja në bazë të deklaratave publike që i kanë bërë të jenë të përkushtuar në të njëjtën mënyrë dhe të kemi marrëveshjen sa më parë”, tha ajo. /Telegrafi/