Telegrafi

LVV në Podujevë rikandidon Shpejtim Bulliqin për kryetar të komunës

Partitë politike në shumë komuna tashmë kanë zyrtarizuar kandidatet për kryetar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021.

Katër ditë para afatit që kanë partitë për të dorëzuar në KQZ listën me kandidatët për kryetar komunash dhe Kuvend Komunal, Telegrafi mëson se Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë  këtë garë do të hyjë me Shpejtim Bulliqin, kryetari aktual të kësaj komune.

Bulliqi i cili fitoi zgjedhjet në Podujevë në nëntor të vitit 2020 me mbi 51 për qind të votave, pretendon që edhe këtë mandat të udhëheq këtë komunë.

Po ashtu, dje Telegrafi ka raportuar se tashmë në Lëvizjen Vetëvendosje është vendosur që kandidat për Prishtinë të jetë Arben Vitia, aktualisht ministër i Shëndetësisë, i cili njëherit ishte drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës.

Lexo po ashtu LVV kandidon me Arben Vitinë në Prishtinë dhe Adnan Rrustemin në Lipjan

Po ashtu, edhe deputeti Adnan Rrustemi, e ish anëtari i KQZ-së, do të jetë kandidat për kryetar të Lipjanit.

Zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje është edhe kandidatura e Mimoza Kusari Lilës për kryetare të Gjakovës, të cilën ajo e ka konfirmuar mbrëmë.

Lexo po ashtu Mimoza Kusari-Lila, rikandidon për kryetare të Gjakovës

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë aplikimet nga subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se afati përfundon të hënën, më 16 gusht.

Lexo po ashtu KQZ deri tash ka pranuar 19 aplikime nga subjektet politike për certifikim për zgjedhjet lokale

“Deri në këtë kohë subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve garues, qoftë në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave apo për Kuvende Komunale. Deri më tani kemi pranuar aplikimet nga 19 subjekte politike, prej tyre 2 parti politike, 7 iniciativa qytetare dhe 10 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 125 kandidatë për Kuvende Komunale dhe 11 kandidatë për Kryetar Komune, në komuna të ndryshme”, ka thënë Elezi. /Telegrafi/