Telegrafi

LVV: Liri e paqe për Ukrainën, mbështetje për qëndresën e popullit ukrainas

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) përmes një komunikate për media thotë se solidarizohet me popullin ukrainas që po reziston kundër forcave pushtuese ruse.

LVV thotë se agresionin ushtarak që e urdhëroi Putini, e dënon i gjithë kombi shqiptar në përgjithësi, transmeton Telegrafi.

“Agresionin ushtarak që urdhëroi Putini nuk e dënojmë vetëm ne, por i gjithë opinioni publik e institucional në Kosovë, ashtu si edhe kombi shqiptar në përgjithësi. Ne e kemi provuar agresionin e Serbisë në vitet ‘90, prandaj e dimë dhimbjen e vuajtjen që po përjetojnë tash qytetarët e Ukrainës. Liri e paqe për Ukrainën, mbështetje për qëndresën e popullit ukrainas, përkrahje për çdo qytetar rus që i kundërvihet pushtimit, dhe bashkërendim i plotë me aleatët tanë që po e ndjekin me shqetësim e vëmendje çështjen. Këto janë qëndrimet e Lëvizjes në këtë ditë të vështirë për krejt botën”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Ndryshe, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënoi të enjten sulmet ajrore dhe sulmet e Rusisë ndaj vendit të tij nga tre drejtime, ndërsa shpërthimet tronditën kryeqytetin, Kiev, dhe qytete të tjera.

Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të mbajnë një takim virtual shtatë shtetet më të industrializuara të botës perëndimore.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit virtual, udhëheqësit e G7 thanë se presidenti rus Vladimir Putin ka “rifutur luftën në kontinentin evropian”.

“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”, shkruan në deklaratën e udhëheqësve të G7./Telegrafi/