Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk e përkrah Ramush Haradinajn për pozitën e presidentit të vendit, edhe pse përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) insistojnë se kreu i AAK-së është personi i duhur për këtë pozitë.
Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se presidenti i ardhshëm duhet të përfaqësojë një unitet të plotë politik.
Sipas tij, propozimi i AAK-së për Ramush Haradinajn është ofertë tipike e një pazari politik për të cilin LVV është kundër.
“E përballë këtij qëndrimi parimor tonë, qëndron propozimi i Haradinaj që është propozim e ofertë tipike e një pazari politik për të cilin ne jemi kritik e kundër”, ka thënë ai.
Kryeziu po ashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës nuk gëzon as autoritetin e as legjitimitetin qytetarë për të zgjedhë presidentin.
“Tipare e virtyte këto të cilat deri tash vërehen të mos jenë fare në konsideratë, duke u bazuar në emrat të cilët po lakohen nga koalicioni qeverisës. Por e vërteta është që, një kuvend i cili ka deformuar në mënyrë kaq të hapur vullnetin e qytetarëve nuk gëzon as autoritetin e as legjitimitetin qytetarë për të zgjedhë presidentin që në fakt do të duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Në këto rrethana dhe me këtë përbërje, ky kuvend e ka praktikisht dhe logjikisht të pamundur që të zgjedhë një president me ato kualitetet”, tha ai.
Tutje zëdhënësi i LVV-së, u shpreh se vendit i duhen zgjedhje të lira, prej të cilave siç tha ai do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve.
“Ne besojmë që tash edhe më shumë, marrë për bazë rrethanat e reja, vendit i duhen zgjedhje të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve dhe është plotësisht funksionale. Qeveria që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Ngjashëm, edhe presidenti i ri i vendit duhet të dalë nga Kuvendi i ri pas zgjedhjeve të reja, e jo nga pazaret në Kuvendin e vjetër e me vullnet të deformuar”, ka thënë ndër të tjera, Përparim Kryeziu.
Ndryshe, ofertën për president të vendit ua ka parashtruar vet Ramush Haradinaj dy partive politike, PDK-së dhe LVV, ndërsa ka thënë se do t’ua kthejë votën kurdo që të kenë nevojë për përkrahje të ndonjë figure apo posti të caktuar, qoftë për president, kryeparlamentar apo kryeministër. /Telegrafi/