Site icon Telegrafi

Lutja e komandantit të Ukrainës për ‘mbinjerëzorin’ Elon Musk: ‘Na ndihmoni të dalim nga Mariupoli’

Një komandant i marinës ukrainase në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol i ka kërkuar ndihmë biznesmenit miliarder Elon Musk.

Ai së pari postoi apelin e tij në Facebook dhe tha se kishte krijuar një llogari në Twitter me qëllimin e vetëm për të kontaktuar themeluesin e SpaceX, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

“Na ndihmoni të dalim nga Azovstal në një vend ndërmjetësues”, shkroi ai në Twitter.

Lexo po ashtu Ukraina kërkon të shkëmbejë të burgosurit rusë me trupat e plagosur në fabrikën e çelikut Azovstal

Në postimin e tij në Facebook, ai e përshkroi Musk si “mbinjerëzor” dhe tha se sipërmarrësi “kishte vërtetuar se nuk ka probleme të pazgjidhshme”.

“Ai kurrë nuk dorëzohet ashtu si ne!”, shtoi ai, duke bërë thirrje për mbështetjen e Musk.

Forcat ruse po vazhdojnë të bombardojnë fabrikën e çelikut Azovstal në portin jugor të rrethuar – vendi i fundit i forcave mbrojtëse ukrainase në një qytet ku Ukraina thotë se dhjetëra mijëra njerëz besohet se janë vrarë që nga fillimi i agresionit.

Autoritetet ukrainase thonë se midis 150,000 dhe 170,000 nga 400,000 banorët e qytetit ende jetojnë atje mes rrënojave të pushtuara nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version