Site icon Telegrafi

Lushtaku: Hoti e Bajrami po mundohen t’i ikin përgjegjësisë ligjore e politike, ministrja të jap dorëheqje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hotin dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami po i ikin përgjegjësisë për skandalin e “dy milionëve”, dhe fajtorin për këtë po e kërkojnë diku tjetër, ndërsa kërkoi edhe dorëheqjen e ministres Bajrami.

Lushtaku gjatë konferencës për medie që mbajti të premten mbrëma tha se ky skandal është krim i organizuar brenda Ministrisë së Financave.

“Ditëve të fundit, qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë për njërin nga dështimet më të mëdha të qeverisë Hoti në 20 vjet të jetës institucionale në Kosovës. Vjedhja e mbi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit në vetëm pak minuta, është krimi më i madh i organizuar ndërinstitucional. Por qeveria në vend të dhënies së përgjegjësisë, po heshtë dhe po përpiqet ta gjej fajtorin diku tjetër. Kryeministri Hoti, në këtë rast edhe Ministrja Hykmete Bajrami po mundohen që t’i ikin përgjegjësisë së tyre politike e ligjore me improvizime dhe konferenca për shtyp. Skandali ia “avullimit të 2 milionëshit” është krim i organizuar brenda Ministrisë së Financave, pra në kuletën e shtetit”, u shpreh Lushtaku.

Ai tha se “Partia Demokratike e Kosovës, si parti opozitare, është duke angazhuar për  një kohë të gjatë në denoncimin e keqqeverisjes përmes angazhimit të saj në Kuvendin e Kosovës, seancat parlamentare, si dhe komisionet parlamentare duke iniciuar edhe komisione hetimore siç është rasti i privatizimit, hidrocentraleve dhe vjedhjeve të mëdha që kanë ndodhur gjatë pandemisë”.
Sipas Lushtakut, PDK është e vendosur që mos të ndalet së denoncuari dhe luftuari krimin e organizuar dhe korrupsionin, kurse theksoi se po binden se dorëheqja e ministres së Financave është e domosdoshme.

“Nga informacionet e fundit që po dalin më media, dhe çdo ditë e më tepër, po bindemi se dorëheqja e ministres është akt i domosdoshëm. Kjo ministre duhet të marrë përgjegjësi politike për këtë dështim të madh. Kështu do ti hapte rrugë hetimeve të pavarura pa ndërhyrje politike. Ne e shohim qartazi një tendence nga Qeveria Hoti që në këtë skandal të përfshijë edhe Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Lushtaku.

“Asnjë i dyshuar deri tani, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në PDK. Sot nga një portal është përmendur emri i një ortaku tim, gjoja të përfshirë në këtë skandal por me përgjegjësi të morale e politike kjo është një gënjeshtër. Nëse medium nuk do të tërhiqet nga lajmi i pavërtetë, atëherë do të dorëzoj padi ditën e nesërme për këtë lajm. Partia Demokratike e Kosovës fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të hetojnë, arrestojnë dhe dënojnë çdo individ që gisht në vjedhjen e mbi 2 milionë euro nga thesari”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së tha se nga Qeveria Hoti po kërkojnë përgjegjësi e llogari.

“Kjo qeveri është treguar është paaftë, jo kompetentë dhe e rrezikshme për pasurinë publike. PDK kërkon nga qeveria Hoti që mos të ndërhyj në hetime dhe të qëndroj larg institucioneve të pavarura. Ajo nuk mund të fshihet nga përgjegjësia e saj dhe korrupsioni ku është futur duke i shuar departamentet anti korrupsion në polici, dhe shkarkuar drejtorin e policisë, ATK-së dhe Doganave”, u shpreh ai. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version