Lupita Nyong’o i është bashkuar listës së gjatë të yjeve që e kanë akuzuar producentin e famshëm, Harvey Weinstein, për abuzim seksual.
Aktorja fituese e çmimit Oscar, ka thënë se ka qenë studente e dramaturgjisë kur “përbindëshi” e kishte çuar në dhomën e tij.
Duke folur për The New York Times, ajo ka treguar se në vitin 2011, Weinstein e kishte ftuar në shtëpinë e tij në Connecticut për ta shikuar një film.
Aktorja ka treguar se para fillimit të filmit, producenti para fëmijëve të tij kishte insistuar që ta dërgonte në dhomën e gjumit. Atje ai i kishte bërë masazh dhe pastaj i kishte bërë presion që t’ia kthente shërbimin.
“Më tha se dëshiron t’i heqë brekët, ndërsa unë i thash që të mos e bëjë atë dhe sepse nuk do të ndihesha mirë. Mirëpo, ai u çua dhe i hoqi, ndërsa unë u nisa kah dera duke i thënë se nuk ndihesha mirë”, ka thënë aktorja me origjinë keni-meksikane.
34-vjeçarja e ka mbajtur të fshehur këtë ngjarje, ndërsa kur dhjetëra aktore e akuzuan Weinsteinin për keqtrajtim seksual, edhe ajo vendosi të fliste në mënyrë që të mos e mbante në vete.
Aktore të famshme, si Angelina Jolie e Gwyneth Paltrow, janë në mesin e atyre që e kanë akuzuar producentin, mirëpo ai ka mohuar të ketë bërë seks pa pranimin e palës tjetër.
Kujtojmë se Lupita e fitoi çmimin Oscar për rol dytësor në filmin “12 Years A Slave”. /Telegrafi/