Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci ka theksuar se propozimi për shkëmbim territoresh ose korrigjim të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e shteteve që e kanë sponsorizuar pavarësinë.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë madje se kjo ide e Presidentit të Kosovës për korrigjim kufijsh është e dëmshme, e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve, ku një ide të tillë e ka proklamuar për vite me radhë zyrtarët në Beograd.
“Prej politikës së ndarjes së Kosovës, nuk ka hequr dorë as estabilishmenti i tanishëm në Beograd, që njëherë është tërhequr, derisa tash i është rikthyer një diskutimi të tillë. Gabimi më i madh është që ne kemi hy në këtë valle”, ka shtuar drejtori i KIPRED.
Peci propozimet e tilla të Thaçit thotë se mund të sjellin destabilitet në rajon, dhe janë thjeshtë aventura politike për më shumë protagonizëm.
“Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të bëhet vetëm me pëlqimin e fuqive që e kanë bërë pavarësinë e Kosovës, dhe kjo nuk është vullnet i bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.
Ish – ambasadori Peci ka folur edhe për numrin e banorëve që jetojnë në veriun e Kosovës si dhe për rëndësinë jetike që ka liqeni i Ujmanit për Kosovën. /Telegrafi/