Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko tha se lideri i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, nuk është më në Bjellorusi, por në Shën Petersburg.
“Kjo është një kompani ruse. Pra, padyshim që pyetja nuk është për mua. Me sa jam i informuar, luftëtarët janë në kampet e tyre. Sa për Prigozhin, ai është në Shën Petersburg. Nuk është në territorin e Bjellorusisë”, tha Lukashenko, transmeton Telegrafi.
Prigozhin besohej se kishte rënë dakord të shkonte në Bjellorusi, si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund tentativës së tij për rebelim të armatosur.
Lukashenko tha se oferta e tij për të vendosur luftëtarët e grupit Wagner në Bjellorusi ende qëndron.
Ai tha gjithashtu se nuk shqetësohet se mercenarët do të kthehen kundër Bjellorusisë në çdo fazë, dhe në vend të kësaj mund të përdoren për të mbrojtur vendin. /Telegrafi/