Telegrafi

Lukaku thyen dy rekorde në Ligën e Evropës, në sezonin më të suksesshëm në karrierën e tij

Romelu Lukaku (Foto: Martin Meissner/Pool via Getty Images/Guliver)

Sezoni i suksesshëm debutues u Romelu Lukakut te Interi është duke vazhduar, ndërsa ai i theu dy rekorde në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Bayer Leverkusenit.

Belgu e shënoi golin e dytë të Nerazzurrëve në ndeshjen e zhvilluar në Dusseldorf duke e ngritur në 31 numrin e përgjithshëm të golave në të gjitha garat këtë edicion.

Në këtë mënyrë, Lukaku është futbollisti i vetëm që shënon gola në nëntë takime radhazi në Ligën e Evropës (apo Kupën UEFA, siç është njohur më parë).

(Foto: Martin Meissner/Pool via Getty Images/Guliver)

Në këtë mënyrë, ai e theu rekordin e Alan Shearer nga viti 2005, i cili me Newcastle United kishte shënuar në tetë ndeshje radhazi.

Lexo po ashtu Interi kalon në gjysmëfinale të Ligës së Evropës me fitoren ndaj Leverkusenit

Njëherësh, 27-vjeçari është lojtari i parë i Interit që shënon në gjashtë ndeshje radhazi të Ligës së Evropës.

Ky është sezoni më i suksesshëm në karrierën e Lukakut, pasi më së shumti gola (27) në të kaluarën, ai ka shënuar në sezonin 2017/2018 me Manchester Unitedin. /Telegrafi/