Telegrafi

Lukaku refuzon të krahasojë Mourinhon me Solskjaerin, tregon respekt për portugezin

Romelu Lukaku (Foto: Mike Hewitt/Getty Images/Guliver)

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, ka refuzuar të krahasojë Jose Mourinhon me Ole Gunnar Solskjaerin pas triumfit ndaj Arsenalit në FA Cup.

Belgu ka thënë se ka respekt të madh për Special Onen, ndërsa shpreson të fitojë trofe me teknikun norvegjez këtë sezon.

“Nuk do t’i krahasoj dy trajnerët. Besoj se Mourinho ka bërë shumë për këtë klub”, ka thënë Lukaku për Eleven Sports.

Lukaku gjatë duelit me Granit Xhakan (Foto: Mike Hewitt/Getty Images/Guliver)

“Ai ka fituar trofe, kështu që unë kam shumë respekt për atë. Ai është trajneri që më transferoi”.

Ndërsa i pyetur për trajnerin e ri, belgu tha: “Solskjaer vetëm sa e ka filluar aventurën e tij këtu. Shpresoj që çdo gjë të shkoj mirë, shpresoj që të përfundojmë në top katërshe dhe të fitojmë ndonjë trofe”, ka shtuar Lukaku.

Në 1255 minuta lojë këtë sezon në Ligën Premier, 25-vjeçari ka shënuar tetë gola.

Man Utd renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë, tre më pak se Chelsea në vendin e katër. /Telegrafi/