Mbrojtësi i Chelseat, David Luiz, mund të bëjë një transferim të papritur te Barcelona, ndërkohë që është lidhur edhe me Real Madridin.
Braziliani i ka prishur marrëdhëniet me trajnerin Antonio Conte, ndërsa është duke u rikuperuar edhe nga lëndimi i gjurit.
Kjo ka bërë që të spekulohet se ai do të largohet nga Stamford Bridge, ndërkohë që Reali është përmendur si destinacioni më i mundshëm, kurse interesim ka shprehur edhe Arsenali.
Luiz ka udhëtuar në Barcelonë për trajtimin e gjurit, ndërsa sipas Catalunya Radio, ai e ka shfrytëzuar udhëtimin për të arritur marrëveshje me Barcën.
Stafi mjekësor i Chelseat i ka dhënë leje 30-vjeçarit për të udhëtuar në Kataluni, mirëpo klubi nuk ka informacion për bisedimet eventuale për transferimin e tij në Camp Nou në afatin e janarit.
Barcelona është në kërkim të një qendërmbrojtësi, pasi Javier Mascherano pritet të largohet në drejtim të Kinës si lojtar i lirë.
Blaugranët janë përpjekur ta transferojnë Luizin edhe në të kaluarën kur luante te Benfica dhe gjatë qëndrimit të parë te Chelsea, mirëpo kishin dështuar.
Sekretari teknik, Roberto Fernandez, i cili është përgjegjës për transferimet e Barcës, është një tifoz i madh i brazilianit. /Telegrafi/