Xhiro e 29-të në Albi Mall Superligën e Kosovës starton sot (e shtunë) me tre ndeshje që janë në program për tu zhvilluar.
Dy kandidatët për titull të kampionit, Drita dhe Ballkani zbresin në fushë, derisa ndeshja më interesante pritet të jetë ajo mes Prishtinës dhe Gjilanit.
Kryeqytetasit janë të qetë në pozitën e pestë në tabelë me 40 pikë, derisa kanë nëntë më pak se vendi i katërt dhe 10 më shumë se vendi i tetë.
Megjithatë Prishtina kërkon të rikthehet te fitoret pas pas tre barazimeve radhazi. Ndërkohë Gjilani pas fitores së madhe ndaj Fushë Kosovës udhëton në Lipjan për një tjetër rezultat pozitiv.
Drita para adhuruesve të vet pret skuadrën e fundit në tabelë që është Liria dhe tanimë thuajse pa gjasa për të shpëtuar.
Gjilanasit kërkojnë tre pikët e radhës për të vazhduar garën për titull, derisa prizrenasit shpresojnë në një befasi.
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Drenas, ku Feronikeli ’74 është nikoqir i Ballkanit.
Vendasit synojnë të marrin rezultat nga kjo përballje pasi po luftojnë t’i ikin barazhit, derisa Ballkani udhëton vetëm për fitore në mënyrë që ta ruaj pozitën e parë në tabelë.
Të tre sfidat e ditës së sotme në elitën e futbollit kosovar startojnë nga ora 15:00. /Telegrafi/