Site icon Telegrafi

Luftëtarët misteriozë “Sayeret Matkal”: Ata godasin dhe zhduken!

Grupi më i efektshëm antiterrorist në botë është “Sayeret Matkal” i Izraelit, i njohur si “Njësiti”. Kjo brigadë, shumë misterioze për operacione speciale, ka fituar statusin mitik me fitoret e veta të shpejta dhe kirurgjikale në Egjipt, në Liban, në Jordani dhe, ndoshta në më të suksesshmen në Entebbe (në Ugandë) ku, më 1976, pas kidnapimit, komandosët e kësaj brigade liruan 103 pengje, të gjithë hebraikë. Në “Sayeret Matkal” u kalitën, mes të tjerëve, edhe kryeministrat Ehud Barak e Benjamin Netanyahu. Kjo brigadë është përgjegjëse edhe për disa nga masakrat më të përgjakshme mbi civilët arabë, mbi intelektualët dhe aktivistët palestinezë. Disa nga viktimat më të njohura të grupit janë poeti palestinez Ghassan Kanafani, zëdhënësi shumëvjeçar i OÇP-së Kemal Nasser dhe aktivisti Muhamed Najjar. “Sayeret Matkal” kryen operacione edhe me kërkesë të Mossad-it.

Bejrut, Liban, 1973. Disa kilometra larg bregut të detit, deti i qetë kristal. Disa njerëz ndodhen në barkë. Mes tyre edhe gjashtë komandosë izraelitë që shtiren si turistë, tre të veshur si femra. Shikojnë Bejrutin me bulevardet e mrekullueshme dhe me hotele impozante. Me barka gome arrijnë në breg. Vrapojnë nëpër plazhin e zbrazët e deri në vendin ku i presin agjentët e Mossad-it (shërbimi izraelit i spiunimit) me tri vetura. Komandosët ndahen në grupe. Rrugës nëpër qytet maskohen prapë si çifte që kanë dalë në shëti të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

EHUD BARAKU – ME FUSTAN, ME PARRUKË DHE ME BUZË TË KUQE

Kur ndalen në semafor të kuq, Ehud Barak, 31-vjeçar, kryeministër i ardhshëm i Izraelit, me fustan, me parukë dhe me buzë të kuqe, si zeshkane simpatike, i buzëqesh njeriut në veturën fqinje. Drita e semaforit u bë e gjelbër dhe meshkujt vazhduan vozitjen. Secili komandos dinte përmendësh edhe marshutën e edhe labirintin e rrugëve që çonin deri te qëllimi i tyre: ndërtesa ku jetonin dy liderë të grupit “Shtatori i zi”, grup ky brenda OÇP-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës) i cili, disa muaj më herët, në Lojërat Olimpike në Munih (1972), kishte kidnapuar disa anëtarë të ekipit olimpik izraelit nga të cilët 11 u vranë. Pas këtij masakri, Golda Meir, kryeministre e Izraelit, i dha urdhër armatës së saj që t’i zërë anëtarët e “Shtatorit të zi”. Planifikimi i kapjes së tyre zgjati disa javë dhe pjesa më e madhe e misionit iu besua “Sayeret Matkal”-it, njësitit sekret për operacione speciale.

Pos, Ehud Barakut, në këtë operacion ishte edhe Amiram Levin, më vonë zëvendësshef i Mossad-it, i shndërruar në biondinë. Atë natë, grupi i komandosëve izraelitë kishte marrë detyrën të shkatërrojë fabrikën e armëve në qytetin Tir, ndërsa grupi tjetër duhej të shkatërronte selinë gjashtëkatëshe të George Habashit, lider i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, këtij pionieri të kidnapimeve në ajër. Veturat e Mossad-it i shëtitën komandosët nëpër qytet dhe i lanë disa ndërtesa larg cakut. Në rrugë komandosët e shndërruar në çifte, kaluan shumë afër një polici libanez. Baraku dhe Levini bënin roje, ndërsa tri ekipe nisën aksionin drejt selisë së Habashit.

Para dyerve të secilës banesë ekipet vunë eksploziv. U dha sinjali dhe ndodhën detonimet. Mukhi Betser, oficer që udhëhoqi një ekip, pas eksplodimit hyri në banesë, nëpër korridor e drejt e në dhomën e gjumit. Dinte se nga duhej të shkonte. Dyert e dhomës së gjumit u hapën dhe Betseri njohu njeriun nga fotografia. Betseri shkrepi nga automatiku. Njeriu në dhomën e gjumit tashmë ishte i vdekur. Betser pastaj dëgjon krisma në rrugë. Del shpejt nga aty dhe sheh Barakun e Levinin duke shtënë me “Uzi”. Asokohe qenë vrarë disa ushtarë libanezë. “Mossad” erdhi me vetura dhe komandosët ikën drejt plazhit. Atë natë qenë vrarë tre liderë të “Shtatorit të zi”. Gazetat e Bejrutit shkruan të nesërmen: “Një zeshkane dhe një biondinë qëlluan policinë dhe ushtrinë sikur të ishin dervishë me automatikë”.

Më vonë, të gjithë ata që ishin të dyshimtë për pjesëmarrje në “Masakrin e Munihut”, pa dallim, janë vrarë. Izraelitët kurrë nuk e pranojnë vrasjen e tyre.

“SAYERET MATKAL” ËSHTË BËRË MIT, “SEKRETI MË I PAZBULUESHËM”

Që nga krijimi në vitin 1957, në Izrael dhe në qarqet ushtarake “Sayeret Matkal” është bërë mit, “sekreti më i pazbulueshëm”. Njësiti ka arritur dhjetëra fitore: në Egjipt, në Liban, në Jordani, por fitorja më e madhe është Entebbe, Aeroporti i Ugandës së Idi Aminit, ku, më 1976 u kidnapuan dhe u mbajtën si pengje 107 udhëtarë të aeroplanit “Air France”. Asokohe, grupi i komandosëve u dërgua me aeroplan në Ugandë (4.000 kilometra larg Izraelit). Me aeroplan u dërguan edhe landroverët e mercedesët për komandosët. Të shndërruar në ushtarë të Idi Aminit, ata hynë në ndërtesë, vranë terroristët dhe i shpëtuan të gjitha pengjet, pos treve.

“Sayeret Matkal” shërben si bazë edhe për stërvitjen e personaliteteve më të rëndësishme të Izraelit. Në të ishin, për një kohë, Ehud Barak dhe Benjamin Netanyahu; vëllai i madh i Netanyahut, Yonatan, i vetmi ushtar izraelit i vrarë në aksionin në Entebbe; si dhe shumë gjeneralë, oficerë të shërbimit të spiunimit dhe liderë e heronj nacionalë. Dhe, derisa njësitet e tjera izraelite të komandosëve veprojnë brendapërbrenda hierarkisë ushtarake, udhëheqësi i “Sayeret Matkal”-it, njësit që vepron nga baza sekrete thellë në shkretëtirën Negev (i gjithë ai rajon nuk është fare i shënuar në hartë), është nënvartës dhe i përgjigjet drejtpërdrejt kryeshefit të Shtatmadhorisë së Forcave Mbrojtëse të Izraelit, transmeton Telegrafi.

Duke folur për kohën e kaluar në “Sayeret Matkal”, shumica e veteranëve nuk duan që t’ju përmenden emrat. Disa insistojnë që të mos i tregojnë kujt për takimin (vlen parimi “kjo nuk ka ndodhur kurrë”). Disa nuk duan pyetje specifike. Shumica prej tyre janë ende në Armatë, ndërsa të tjerët punojnë nëpër kompani të ndryshme. Secila bisedë nis me listën e kualifikimeve: nëse bëni digresionin më të vogël – biseda merr fund…

Disa veteranë nuk përtojnë të flasin, si Ron Levi, që dikur ishte komandos i “Sayeret Matkal”-it e pastaj u bë psikolog i kësaj brigade; pastaj Sammi Nachmias që ishte një nga anëtarët e parë të “Sayeret Matkal”-it për të vazhduar më vonë karrierën në shërbimin e spiunimit; Dalija Rabin-Pelossof, zyrtare e Mbrojtjes së Izraelit (vajza e ish-kryeministrit Yitzhak Rabin) që shërbeu si sekretareshë në “Sayeret Matkal” etj.

ATA KANË PLAN PËR VRASJEN E SADDAM HUSSEINIT

Dikur flitej se, pas luftës së Gjirit, kur ishte bërë e qartë se Amerika nuk do të mbaronte punë, oficerët e “Njësitit” kishin bërë planin – i cili do të mund të realizohej edhe më tej – për vrasjen e Saddam Husseinit.

Dhe, për dallim nga komandosët amerikanë, të cilët rëndom mbështeten në forcën brutale, në vrazhdësi dhe në armë të sofistikuara, “Njësiti” vepron në mbretërinë e errësirës, nën një hije të veçantë ndërmjet ushtrisë së rregullt dhe shërbimeve të spiunimit. Komandosi izraelit është më së shpeshti i vogël dhe i keq, prandaj – kur duhet – përzihet shumë lehtë me popullatën lokale dhe vepron si spiun, e vetëm pastaj godet ashtu siç godet ushtari…

Teorikisht, “Sayeret Matkal” është i ngjashëm me njësitet amerikane, siç janë “Beretat e gjelbra”, “Rengjerët”, “Delta Forca” ose “SAS”-i britanik. Mirëpo, kur “Rengjerët”, për shembull, ndjekin terroristët, së pari përcaktojnë vendndodhjen e tyre e pastaj me zhurmë sulmojnë me dhjeta luftëtarë që zbresin me litar nga helikopteri “Black Hawk” (Fajkoi i zi), punë kjo që u tregua katastrofale në Somali. Komandosët izraelitë, për dallim nga ata, luftojnë si partizanë, në njësi të vogla, shpesh të bërë tebdil: ata kërcejnë, sulmojnë dhe zhduken.

“Shkrepja e vetëm një plumbi, në disa operacione, do të thotë mossukses dhe dështim. Me plumbin e shkrepur, ju thjesht i thoni armikut: ‘Ja ku jemi! Ejani e na vrisni!’”, thotë një veteran i “Njësitit”.

Misioni i suksesshëm kryhet në konfidencë. Është fjala për stil bixhozxhiu: goditjet varen nga befasia, plani dhe mençuria. Prandaj, ky edhe paraqet modelin më të mirë për armatën amerikane në luftë kundër terrorizmit të tashëm.

Deri më 1972, kur u vranë sportistët izraelitë në Munih, “Njësiti” ishte ajo forcë që përmendej në tituj më dramatikë të shtypit të Lindjes së Afërme. Ndodhi kjo në Bejrut, kur si përgjigje për një aksion terrorist, 14 aeroplanë libanezë u ngritën në ajër në pistën e aeroportit të atjeshëm ndërkombëtar; në Tunizi, ku u vra në banesë të vet Khalil al-Wazir, lider ushtarak i OÇP-së, përgjegjës për vrasjen e dhjetëra izraelitëve; në Libanin jugor, ku një grup oficerësh sirianë u zu rob dhe u shkëmbye me pilotë izraelitë të zënë peng në Damask, transmeton Telegrafi.

Është interesant edhe një rast. Një herë dikush nga njerëzit më përgjegjës ushtarakë të Izraelit, vuri në dyshim aftësitë e “Sayeret Matkal”-it. Anëtarët e “Njësitit” hartuan shpejt planin e kidnapimit të oficerëve të lartë të Shtatmadhorisë së Armatës izraelite, kryen këtë aksion dhe treguan se kush janë.

EDHE ARIEL SHARONI ISHTE KOMANDOS

Izraeli e ka nisur luftën kundër terrorizmit viteve të ’50-ta. Gjithçka filloi me grupin e nëntokës “Hagan”. Në kuadër të “Hagan”-it ishte “Palmach”, një njësit elit që edhe sot i shërben si model ushtarëve izraelitë. Një nga udhëheqësit e “Palmach”-ut ishte edhe Jicak Rabini, kryeministër i ardhshëm i Izraelit. Kur Izraeli fitoi pavarësinë më 1948, kjo traditë guerile vazhdoi me njësitin “101”, me të cilën komandonte Ariel Sharoni, kryeministër aktual i Izraelit. Sharonin edhe sot e ndjek pas një tragjedi në të cilën, nën komandën e tij, u shkatërruan 40 shtëpi në Jordani dhe u vranë 69 civilë për të cilët mendohej se ishin evakuuar nga atje.

Komandanti i tashëm i “Sayeret Matkal”-it, Avraham Arnan, thotë se grupi i tij është i shenjtë, sikur ‘tridhjetegjashti”, grup ky i shenjtë sipas Talmudit, për të cilin askush nuk dinte gjë, anëtarët e të cilit nuk njiheshin mes veti dhe që e shpëtuan botën nga shkatërrimi.

“Njësitin” e përbëjnë jo të rekrutuarit, por të zgjedhurit nga njësitë e tjera ushtarake, ata që janë inteligjentë, të arsimuar dhe të shkathtë. “Njësitin” e përbëjnë dy grupe luftëtarësh: trupshkurtërit si Ehud Baraku, që kanë ndonjë shkathtësi të veçantë (Baraku mund ta hapë çdo bravë në botë për tetë sekonda), ose trupgjatët si Benjamin Netanyahu, që janë grushtgoditës i çdo grupi. Në “Njësit” ekziston edhe një tip ushtari: izraeliti i brezit të parë që kaloi rininë e vet në ferma, i skalitur në punë dhe i mbushur ideologji – për ta nuk ka problem të pazgjidhëm.

Terrorizmi modern për Izraelin u paraqit viteve të ’70-ta. Asokohe, lideri palestinez Yasser Arafat mendonte se izraelitët mund të dëbohen duke i frikësuar. Në këtë kohë, edhe “Njësiti” ndërron misionin e vet. Operacionet e parë të “Njësitit” kundër bartësve të aksioneve terroriste ishin të stilit “godit dhe ik” – identifiko cakun, shkatërroje dhe kthehu në bazë!

Më 1982, “Njësiti” për herë të parë sulmoi kidnapuesit e aeroplanit. Anëtarët e Frontit Popullor të OÇP-së kidnapuan aeroplanin e kompanisë belge “Sabena” dhe e detyruan të aterrojë në aeroportin e Tel-Avivit. Aty aeroplani qëndroi me orë të tëra. Shefat e “Njësitit” dërguan në aeroport një grusht komandosësh, të veshur si mekanikë. Mekanikët-komandosë hynë në aeroplan, sulmuan terroristët, dy i vranë dhe dy i arrestuan dhe i liruan të gjithë udhëtarët, pos njërit. Njëri nga komandosët-mekanikë ishte Ehud Barak. Dhe, ky lloj i shpëtimit të udhëtarëve të kidnapuar në aeroplan, i pari si i tillë në histori, u bë model në tërë botën. Ndoshta mu kjo bëri që për 20 vjet rresht të mos ketë kidnapime aeroplanësh, deri në shtatorin e vitit 2001, kur ndodhi tragjedia në Nju-Jork e Uashington, transmeton Telegrafi.

SI KRIJOHET KOMANDOSI IZRAELIT?

Ushtarët e “Sayeret Matkal”-it, ata dyqind që janë në përbërje të përhershme, janë të ndarë në disa divizione dhe veprojnë në grupe me jo më shumë se 15-20 veta. Në matematikën e luftës moderne ekipet e tilla paraqesin ardhmërinë e luftimeve. Kur janë në pushim ushtarët duhet të lënë numrat e telefonave dhe duhet ta thërrasin bazën pas orëve të caktuara. Shërbejnë në njësit pesë vjet e pastaj vazhdojnë, si rezervistë, shërbimin 100 ditë në vjet. Veteranët edhe rekrutojnë anëtarë të rinj në “Njësit”. Mes mijëra kandidatëve kalojnë vetëm dhjeta vetë. Ata dërgohen në stërvitje gjashtëmuajshe, flejnë vetëm tri orë në ditë, mësojnë përdorimin e armës, ecin pakufishëm në shkretëtirën Negev… Nga atje i dërgojnë në bazën stërvitore të fshehur thellë në shkretëtirë, ku suhtrojnë në grupe me 10 e 12 vetë, pastaj ndjekin kursin kundër terrorizmit.

Komandosi tipik mban me veti automatikun me municion shtesë, revole, busulle dhe thikë. Secilin rekrut, në moment të caktuar, e kidnapon një veteran i veshur si terrorist që flet arabisht. Rekruti dërgohet në ndonjë shpellë në shkretëtirë dhe ai merret në pyetje. Veteranët vlerësojnë se cili rekrut mund të thyhet shpirtërisht – të dorëzohet para armikut. Janë pastaj muajt më të rëndësishëm që kalohen në zotërimin e navigacionit, soloshëtitjet nëpër shkretëtirë… Stërvitjet përfundojnë me ecjen katërditëshe këmbë nëpër shkreti, përmes stazës që çon deri në Masada, kështjellë në maje të kodrës, ku para 2.000 vjetësh ishin zilotët, mbrojtësit e fundit të Judesë së vjetër para legjioneve romake. Ushtari ngjitet në kështjellë. Atje e presin anëtarët e “Njësitit”, e urojnë, komandanti i shtabit arrin me helikopter dhe nga pluhuri që ngritet të gjithëve u mbyllen sytë. Veterani ia ngjet rekrutit distinktivin në uniformë. Rekrutit për këtë i janë dashur dy vjet, por ai tash është anëtar i barabartë i njësitit misterioz… /Telegrafi/

Exit mobile version