Pas tre raundeve të tensionuara të votimit, ligjvënësit francezë kanë rizgjedhur aleatin qendror të presidentit, Emmanuel Macron, si kryetar të Asamblesë Kombëtare, gjë që zemëroi të majtën e vendit pasi fitores së saj në zgjedhjet parlamentare.
Bëhet e ditur se Yaël Braun-Pivet, anëtar i partisë së Rilindjes së Macronit, ka fituar 220 vota në asamblenë prej 577 vendesh, me Andre Chassaigne nga e majta e Frontit të Ri Popullor që doli i dyti me 207 vende.
Në fakt, pas javësh trazira politike, rezultati dha përshtypjen se asgjë nuk ka ndryshuar në Francë, përcjell Telegrafi.
I ashtuquajturi front republikan i partive të majta dhe të qendrës që mbajti larg nga pushteti Frontin Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen në balotazhin e zgjedhjeve më 7 korrik, u shndërrua në një front të qendrës së djathtë për të mbajtur jashtë të majtën.
Madje, në një video të publikuar së fundmi në rrjete sociale, deputetët nga radhët e krahut të majtë kanë refuzuar të shtrëngojnë duart me një ligjvënës të ekstremit të djathtë, gjatë votimit për presidentin e ri të Asamblesë Kombëtare franceze.
Nga pamjet e transmetuara, shihet edhe deputeti francez i krahut të majtë Francois Piquemal i cili “fillon e luan” për të shmangur shtrëngimin e dorës me deputetin e sapoemëruar nga Fronti Kombëtar, Flavien Termet.
Sipas Macron, rizgjedhja e Braun-Pivet si kryetar i Asamblesë Kombëtare do të sigurojë “diversitet opinionesh dhe ndjeshmërish”.
“Të gjithë ata që ju njohin e dinë se do të siguroni respekt për diversitetin e opinioneve dhe shprehjen e një shumëllojshmërie ndjeshmërish. Përmbushja e një përgjegjësie republikane”, tha Macron. /Telegrafi/