Site icon Telegrafi

Lufta për liberalizim përball skepticizmit të BE-së

Autoritetet e Kosovës, janë duke i shfrytëzuar javët e fundit për të lobuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të jetë pjesë e agjendës së takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, i cili pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti.

Paraprakisht, po ashtu, në fillim të dhjetorit, pritet që në Kosovë të qëndrojë Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili do të diskutojë me autoritetet në Prishtinë për zbatimin e reformave për integrim në BE.

Aktiviteti i shtuar i autoriteteve të Kosovës për lobim, për marrjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, vjen pas skepticizmit të shfaqur nga vende të caktuara të Bashkimit Evropian për një vendim pozitiv për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila aktualisht është në një turne lobues në disa prej vendeve të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u bërë përpjekje që t’i bindin ato shtete që kanë hezitime për një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas saj, hezitimet e tilla më shumë kanë për bazë rrethanat e brendshme politike të vendeve të caktuara, para zgjedhjeve të cilat do të mbahen në Bashkimin Evropian, në vitin e ardhshëm.

“Shumë prej shteteve janë shumë përkrahëse. Por, në anën tjetër, disa prej shteteve të mëdha, janë më hezituese, jo për shkak të Kosovës, por për shkak të rrethanave të tyre të brendshme. Ne, për shkak të marrëdhënieve tona të punës, komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm që e kemi me këto shtete, nuk do të doja t’i përmend emrat, sepse ne ende jemi duke punuar me këto shtete që të formësojnë pozicionin e tyre për të na mbështetur”.

“Shpresojmë që këto pak javë që na kanë mbetur, edhe këto shtete do ta kuptojnë rëndësinë e vendimmarrjes dhe që Kosova nuk është argument që do të ndikojë në një mënyrë ose tjetër në politikat e tyre të brendshme”, tha ministrja Dhurata Hoxha.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), më herët pati thënë për Radion Evropa e Lirë se gatishmëria e shteteve të BE-së për një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, është duke u zbehur.

“Në votimin e fundit për liberalizim të vizave për Kosovën është parë hezitim nga Gjermania, Franca dhe Holanda, por ky numër i shteteve tani ka kaluar në 10 apo 12 shtete”, thekson Kryeziu.

Rritja e skepticizmit

Skepticizmin për një vendim pozitiv të Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave për Kosovën, e pati shtuar deklarata e kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurtz. Gjatë vizitës në Prishtinë, me 6 nëntor, Kurtz, pati theksuar që lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, ka pasur vendime pozitive nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Ai tha se pritet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, por, sipas tij, brenda BE-së ka vende që janë skeptike në këtë drejtim.

“Ende ka shtete të BE-së që janë shumë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave”, pati thënë Kurtz.

Një ditë pas deklaratës së kancelarit Kurc lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi që nuk do të ndalet së lobuari për liberalizimin e vizave dhe se në të njëjtën kohë do të jetë edhe më i zëshëm në të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në Evropë.

“E drejta na takon që në dhjetor të merret vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, ndryshe – ky tash është qëndrimi im politik – është racizëm. Është racizëm i skajshëm”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 8 nëntor, paralajmëroi se ka hezitime që çështja e liberalizimit të vizave të vendoset në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

“Jemi duke punuar që të hyjmë në rend të ditës. Është dramatizuar. Ka edhe emocione, ka edhe tensione. Është e kuptueshme sepse tema është e tillë, sepse kur vjen deri te vendimi, dramatizohen gjërat. Unë nuk dua të dal më optimist se që duhet, por unë besoj që kemi mundësi reale që të hyjmë në rend të ditës. Nëse hyjmë në rend të ditës, nuk mund të ketë votë negative, sepse e dimë që e kemi votën për liberalizim”, pati thënë Haradinaj.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë më herët në një intervistë për Radion Evropa e Lirë që në rast se Bashkimi Evropian nuk merr një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave, atëherë duhet shqyrtuar një lloj politike të kushtëzimit për dialogun me Serbinë. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, të cilat BE-ja ia ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Nëse Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të përmbushë premtimet e tija në raport me liberalizimin e vizave… atëherë, pse do të duhej t’i besojmë BE-së që do të ketë instrument që ta bindë Serbinë që ta njeh Kosovën. Duhet të jemi realist në një qasje të tillë”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Koha për t’i bindur vendet e BE-së

Lidhur me mundësinë që gjatë këtij viti të mos ketë ndonjë vendim pozitiv për liberalizimin vizave për Kosovën, ka reaguar edhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka shprehur shqetësimin për zhvillimet dhe deklaratat lidhur me liberalizimin e vizave, siç ishte ajo e kancelarit austriak Kurz.

“Është e papranueshme sesi disa politikanë po mundohen që të politizojnë edhe më tutje procesin, duke imponuar kushte të reja dhe në këtë mënyrë të vonojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Fajon.

Ajo e ka quajtur të padrejtë faktin se janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e Kosovës, megjithatë Bashkimi Evropian nuk po vepron.

Ndërkaq, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes ka thënë se “nuk duhet lejuar që të ketë aparteid me vizat për Kosovën”. Ai, megjithatë, ka shfaqur shpresën që kjo çështje do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave në dhjetor të këtij viti.

“Padyshim se deri atëherë ka ende kohë për t’i bindur vendet anëtare për rëndësinë e garantimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për mundësinë e liberalizimit të vizave”, ka theksuarSoltes.

Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane, muaj më parë kanë theksuar se zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Bashkimin Evropian, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në gjithë vendimmarrjen e BE-së, përfshirë edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Jehona Lushaku, njohëse e çështjeve të integrimeve evropiane ka theksuar më herët që një vendim vendimtar nga këshilli i Ministrave për liberalizim të vizave do të jetë i vështirë për shkak të pasojave që vendet anëtare të BE-së mund t’i kenë nga ky vendim, në zgjedhjet e ardhshme në BE.

“Secili shtet kalkulon që vota e tij ‘për’, mund të jetë një argument më shumë për partitë populliste të tyre, që gjatë zgjedhjeve ta përdorin këtë vendim si argument që është rritur migracioni, për të cilin thuhet që është një prej problemeve kryesore në BE, momentalisht”, thekson Lushaku.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë shprehur mendimin që pa një konsensus të shteteve të mëdha brenda BE-së,shtyrja përpara e agjendës së procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, është e vështirë. Megjithatë, sipas tyre, autoritetet në Kosovë mund t’ ia lehtësojnë vendimmarrjen vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian, Hoxha, thotë se institucionet e Kosovës, në përgjithësi, nuk kanë hequr dorë nga kërkesa që çështja e vendimmarrjes për liberalizimit të vizave për vendin të vendoset në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

“Për ne është e rëndësishme që gjatë presidencës austriake të përfundojë procesi i vendimmarrjes. Këtë e kemi kërkuar edhe në takim me kancelarin Kurz, por gjithashtu, në vazhdimësi, po e kërkojmë edhe me të gjitha shtetet ku jemi duke udhëtuar. Është shumë me rëndësi që ne të vazhdojmë komunikimin tonë me secilin prej vendeve, që t’iu tregojmë atyre që Kosova ka bërë një punë shumë të madhe. Pra, kemi plotësuar një udhërrëfyes prej 95 kritereve dhe me të drejtë presim që vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta njohin këtë progres dhe ta mbajnë fjalën e tyre për sa i përket vendimmarrjes për procesin e liberalizimit”, tha Hoxha.

Sidoqoftë, që nga viti 2010, përfaqësuesit politik dhe institucional të Kosovës, në vazhdimësi kanë premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, duke përcaktuar edhe data dhe afate të shkurta.

Megjithatë, rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, erdhi në korrik të këtij viti, ndërkaq, votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, në muajin shtator. Sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, i japin vlerësimet e tyre.

Exit mobile version