Site icon Telegrafi

Lufta në Ukrainë, Zelensky thotë se situata në Bakhmut po bëhet “gjithnjë e më e vështirë”

Situata në qytetin Bakhmut, në vijën e frontit lindor, po bëhet “gjithnjë e më e vështirë”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Bëhet fjalë për qytetin të cilin forcat ruse janë përpjekur të marrin për më shumë se gjashtë muaj.

“Armiku po shkatërron vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona”, citohet të ketë thënë Zelensky, përcjell Telegrafi.

Deklaratat e liderit ukrainas erdhën pasi Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen paralajmëroi Kinën kundër armatimit të Rusisë gjatë një vizite në Kiev të hënën.

Lexo po ashtu "Ka pak vend për gabim": Rrëfimi i pilotit që ka kryer misione të panumërta luftarake me helikopter, kundër rusëve në Ukrainë

Disa nga luftimet më të ashpra që kanë ndodhur që kur Rusia filloi agresionin mbi Ukrainë pak më shumë se një vit më parë, janë zhvilluar në Bakhmut, në rajonin e Donetskut të Ukrainës, një pjesë e të cilit është nën kontrollin e Rusisë dhe aleatëve të saj separatistë.

Por kohët e fundit përpjekjet e forcave ruse për të marrë qytetin industrial janë intensifikuar.

Udhëheqësi separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin, tha se “praktikisht të gjitha rrugët” për në qytet ishin “nën kontrollin e zjarrit [rus]”.

Presidenti Zelensky bëri thirrje edhe një herë që të dërgohen aeroplanë luftarakë modernë në mënyrë që “i gjithë territori i vendit” të mbrohet nga “terrori rus”. /Telegrafi/

Exit mobile version