Telegrafi

Lufta në Ukrainë, SHBA konfirmon ‘komunikimin’ me Kremlinin

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka konfirmuar se kanalet e komunikimit midis Uashingtonit dhe Moskës mbeten të hapura, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Duke folur në Nju Jork, Sullivan tha se ishte “në interesin” e SHBA-së të ruanin kontaktet me Kremlinin, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Por ai këmbënguli se zyrtarët “e kanë të qartë se me kë kemi të bëjmë”.

Kjo vjen pasi Shtëpia e Bardhë refuzon të mohojë raportet se Sullivan ka udhëhequr bisedimet me Rusinë për të parandaluar një përshkallëzim bërthamor në Ukrainë.

Wall Street Journal raporton se Sullivan ka zhvilluar diskutime konfidenciale me homologun e tij rus, sekretarin e Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, dhe ndihmësin e lartë të Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, gjatë disa muajve të fundit.

Zyrtarë të lartë i thanë gazetës se ata kishin diskutuar mënyrat për t’u mbrojtur nga rreziku i përshkallëzimit bërthamor në luftën në Ukrainë, por nuk ishin angazhuar në asnjë negociatë rreth mënyrave për t’i dhënë fund konfliktit.

Muajin e kaluar, Sullivan tha se çdo përdorim i armëve bërthamore do të kishte “pasoja katastrofike për Rusinë”.

Ai i tha transmetuesit amerikan NBC se zyrtarët e lartë kishin “shpjeguar” shtrirjen e përgjigjes së mundshme të SHBA-së në diskutimet private me zyrtarët rusë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson refuzoi të konfirmonte këtë, duke i thënë gazetës se “njerëzit pretendojnë shumë gjëra”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov akuzoi gazetat perëndimore për “publikimin e mashtrimeve të shumta”.

Por sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre ka thënë të hënën se Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën për të zhvilluar bisedime me Rusinë.

Dhe Sullivan – i cili thuhet se është një nga këshilltarët më të lartë të presidentit amerikan Joe Biden – tha se mbajtja e kontaktit me Moskën ishte në “interesat e çdo vendi që është prekur nga ky konflikt”.

Ndërkohë javën e kaluar, Washington Post raportoi se zyrtarë të lartë amerikanë po i kërkonin Kievit të sinjalizonte një hapje për të zhvilluar negociata me Rusinë dhe të hiqte dorë nga refuzimi i tyre publik për të diskutuar një fund të luftës ndërsa presidenti Vladimir Putin mbetej në pushtet.

Por Sullivan tha në një ngjarje publike në Nju Jork se administrata Biden kishte “një detyrim për të ndjekur llogaridhënien” dhe u zotua të punojë me partnerët ndërkombëtarë për “të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda të luftës në Ukrainë për atë që kanë bërë”.

“Sapo isha në Kiev të premten dhe pata mundësinë të takohesha me presidentin [Volodymyr] Zelensky dhe homologun tim Andriy Yermak, me lidershipin ushtarak dhe gjithashtu të merrja informata mbi nivelin e vdekjeve dhe shkatërrimit që nga Lufta e Putinit në atë vend”, tha Sullivan. /Telegrafi/