Site icon Telegrafi

Lufta në Ukrainë pritet t’i kushtojë Gjermanisë rreth 160 miliardë euro

Lufta në Ukrainë do t’i kushtojë ekonomisë gjermane rreth 160 miliardë euro ose rreth 4 për të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), deri në fund të vitit.

Sipas kreut të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), Peter Adrian, PBB-ja për frymë në ekonominë më të madhe të Evropës do të jetë 2,000 euro më e ulët.

Industria përbën një pjesë më të madhe të ekonomisë gjermane krahasuar me shumë vende të tjera dhe sektori bazohet kryesisht në konsum të madh energjie, që do të thotë se kompanitë gjermane janë goditur veçanërisht rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë, e cila vitin e kaluar arriti nivele rekord në Evropë.

Ky sektor do të paguajë rreth 40 për qind më shumë për energji në vitin 2023 sesa në 2021, përpara krizës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Gjermania, e cila për dekada mbështetej në gazin relativisht të lirë të gazsjellësit rus, tani ka çmime veçanërisht të larta të energjisë në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë rezervat e veta të gazit natyror, ndërsa Franca ka energji të bollshme bërthamore.

Aktualisht, çmimi i gazit është rreth tre deri në pesë herë më i lartë se në SHBA dhe energjia elektrike është katër herë më e shtrenjtë se në Francë. /Telegrafi/

Exit mobile version