Telegrafi

Lufta në Ukrainë: Moska në shënjestër të dronëve, Medvedev paralajmëron për ‘armagedon’

Pesë dronë ukrainas u rrëzuan të martën pranë Moskës dhe rajonit të saj më të gjerë, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Këtë mëngjes, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një akt terrorist u parandalua”, thuhet në pretendimin e kësaj ministrie, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Katër drone u shkatërruan nga mbrojtja kundërajrore pranë Moskës, ndërsa i pesti u neutralizua me “mjete të luftës elektronike”, shtohet në deklaratë, duke thënë se nuk janë raportuar për viktima.

Megjithatë, sulmet ndërprenë për një kohë të shkurtër funksionimin e aeroportit të Moskës Vnoukovo, i vendosur rreth 40 kilometra nga Koubinka, ku disa fluturime u ridrejtuan në aeroporte të tjera.

Lexo po ashtu Zelensky i bën thirrje Bidenit “që ta ftojë” Ukrainën në NATO tani – edhe nëse anëtarësimi nuk ndodh deri pas luftës

Ndërkohë ish-kryeministri rus Dmitry Medvedev tha se “armagedoni” është i mundshëm nëse Perëndimi nuk pranon të negociojë me Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Një shkrim i Medvedev, i botuar më 3 korrik, i bëri jehonë retorikës nxitëse ruse ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, që synonte të minonte mbështetjen për Kievin përpara samitit të ardhshëm të NATO-s.

Ai përsëriti portretizimin e tij të luftës në Ukrainë si pjesë e “një konflikti më të gjerë ekzistencial kundër Perëndimit”, duke ripërsëritur shumë nga kërkesat e Putinit të paraluftës.

Madje Medvedev la të kuptohej se Rusia është e përgatitur të përfshihet në këtë konflikt më të gjerë për “dekada” nëse këto kërkesa nuk plotësohen, duke lënë të kuptohet për mundësinë e një lufte bërthamore.

Përpara esesë së Medvedev, zyrtarë të tjerë të lartë të Kremlinit kanë bërë deklarata të ngjashme duke iu drejtuar shteteve, organizatave dhe mediave perëndimore përpara diskutimeve të rëndësishme ndërkombëtare rreth mbështetjes ushtarake, politike dhe ekonomike për Ukrainën dhe përpjekjet e saj për të çliruar territoret e kontrolluara nga Rusia. /Telegrafi/