Telegrafi

Lufta në Ukrainë, beteja intensive po zhvillohen në Bakhmut ndërsa Finlanda konsideron dërgimin e aeroplanëve luftarakë në Kiev

Luftimet intensive vazhduan për qendrën e qytetit lindor të Ukrainës, Bakhmut, vendi i betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë.

“Njësitë e sulmit të [grupit paraushtarak rus] Wagner po sulmojnë nga disa lokacione, duke u përpjekur të thyejnë mbrojtjen e trupave tona dhe të avancojnë në rrethet qendrore”, tha të hënën Oleksandr Syrsky, një komandant i forcave tokësore ukrainase në Bakhmut, përcjell Telegrafi.

“Sa më afër qendrës së qytetit, aq më të vështira janë luftimet dhe ka aq më shumë artileri”, ka thënë Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit paraushtarak Wagner.

Të dielën, ai e përshkroi gjithashtu situatën në qytet si “të vështirë, shumë të vështirë, me armikun që lufton për çdo metër”.

Lexo po ashtu E ardhmja e Ukrainës varet nga betejat kryesore në lindje, thotë Zelensky

Qyteti, i cili kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 70,000 banorësh, ka qenë epiqendra e luftimeve në frontin lindor për muaj të tërë, edhe pse rëndësia e tij strategjike është e diskutueshme nga ekspertët.

Ndërkohë kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha të hënën se ishte e hapur për diskutime për t’i dhënë Ukrainës aeroplanë luftarakë F-18.

Ushtria ukrainase ka kërkuar F-16, aeroplanët më të disponueshëm të prodhuar nga Amerika, të cilët gjithnjë e më shumë po zëvendësohen me modele më të reja.

Dhe në dhjetor, Finlanda njoftoi se do të porosiste 64 F-35A nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin.

“Ukraina ka nevojë për pajisje edhe më të rënda… çështja tjetër e madhe janë aeroplanët luftarakë dhe mbrojtja ajrore, më gjerësisht”, citohet të ketë thënë Marin. /Telegrafi/