Disa imazhe satelitore duket se tregojnë dëme të mëdha dhe disa aeroplanë luftarakë rusë të shkatërruar në një bazë ajrore në Krime pas shpërthimeve në fillim të kësaj jave.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, baza e Saky në perëndim të Krimesë së sunduar nga Rusia u trondit nga një varg shpërthimesh të martën, ku mbeti i vdekur një person.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë – por këto prova të reja sugjerojnë mundësinë e një sulmi të synuar, shkruan BBC.
Dhe imazhet, nga Planet Labs me bazë në SHBA, tregojnë zona të mëdha të tokës së djegur të mbetura nga zjarret që shpërthyen.
Pistat kryesore të bazës duket se janë të paprekura, por të paktën tetë aeroplanë duket se janë dëmtuar dhe shkatërruar, me disa kratere të dukshme.
Shumica e tyre janë në një zonë të caktuar të bazës ku një numër i madh ishin parkuar jashtë – larg mbulesës së hangarëve.
Imazhet para dhe pas nga Planet Labs, që monitorojnë qindra burime satelitore mbi Ukrainë, janë konfirmimi i parë i pavarur se baza mund të jetë dëmtuar.
Deri më tani, detajet rreth shtrirjes së ndikimit të shpërthimeve kanë qenë të pakta.
Por ende nuk është e qartë se si është dëmtuar baza apo nga çfarë.
Rusia këmbëngul se shpërthimet u shkaktuan nga shpërthimi i municioneve në një magazinë për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë nga zjarri.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë – dhe ministri i saj i mbrojtjes sugjeroi se fajin mund ta kenë ushtarët e pakujdesshëm rusë. /Telegrafi/