Telegrafi

Lufta në llogore: Ushtarët ukrainas sulmojnë një pozicion rus me armë automatike dhe granatë – në fund detyrojnë dy ushtarë të Putinit të dorëzohen

Kamerat e helmetave kanë zbuluar intensitetin e luftës në Ukrainën lindore.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet e kapura nga trupat e vijës së parë tregojnë ushtarët e Volodymyr Zelenskyt duke sulmuar një llogore ruse dhe duke detyruar dy luftëtarë armik të dorëzohen.

Në video, burrat ukrainas dalin nga një hendek, duke qëlluar me armë automatike ndërsa nxitojnë drejt një caku – pamje që të kujtojnë skenarë nga luftërat botërore.

Më pas ata mund të shihen duke sulmuar një llogore ruse aty pranë, duke hedhur në erë një gropë me një granatë dhe duke i kthyer pushkët e tyre ndaj trupave armike që përpiqen t’ua kthejnë me zjarr.

Me disa ushtarë të armikut të neutralizuar, një tjetër ukrainas hedh një granatë të dytë në llogore për të “pastruar” kërcënimet e mbetura.

Më në fund, një çift ushtarësh rusë të mundur dalin nga hendeku për t’u dorëzuar.

Pamjet thuhet se janë marrë nga Batalioni i 108-të i Veçantë Sulmues Malor i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Beteja për lindjen e Ukrainës në muajt e fundit është shndërruar në një luftë brutale llogore të stilit të Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në rajonin e goditur të Donetsk-ut, ku dikur fushat dhe pyjet e harlisur janë bërë djerrina dhe qendrat urbane janë kthyer në gërmadha. /Telegrafi/