Telegrafi

Lufta Izrael-Hamas: Një propozim për të shkëmbyer pengjet dhe të burgosurit i dërgohet militantëve – deklarohet edhe Biden

Një propozim për të shkëmbyer pengjet izraelitë të mbajtur në Gaza me të burgosur palestinezë i është dërguar Hamasit.

Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, ai pason disa ditë bisedimesh shumëkombëshe në Paris ku përfshihen përfaqësues nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, të cilët janë përpjekur të përshkruajnë konturet bazë të një marrëveshjeje për një armëpushim të përkohshëm.

Propozimi thotë se të gjitha gratë izraelite, fëmijët nën 19 vjeç, pengjet e moshuar dhe të sëmurë duhet të lirohen në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë, ka thënë një burim i lartë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Propozimi përfshin një angazhim për të lejuar hyrjen e 500 kamionëve ndihma çdo ditë në Gaza dhe sigurimin e mijëra tendave dhe karvanëve.

Ai pason komentet e presidentit amerikan Joe Biden, i cili tha të hënën, se ai shpresonte se një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit mund të sigurohet “deri në fund të fundjavës”.

Biden i bëri komentet kur u pyet nga gazetarët se kur mendonte se mund të fillonte një armëpushim në Gaza.

Lexo po ashtu “U jepnin guxim dhe eufori”: Izraeli thotë se ka zbuluar tabletat që merrnin militantët e Hamasit

Ai tha se “këshilltari im për sigurinë kombëtare (Jake Sullivan) më thotë se jemi afër, jemi afër, nuk kemi mbaruar akoma”.

“Ramazani po vjen dhe ka pasur një marrëveshje nga izraelitët që ata nuk do të angazhohen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin kohë për të nxjerrë jashtë të gjithë pengjet”.

Ndryshe, bisedimet në kryeqytetin francez janë pritur nga Katari, ku ndërmjetësit kanë takuar delegacionet nga të dyja palët veç e veç.

Qëllimi ishte të sigurohej një pauzë gjashtë-javore në luftime.

Izraeli dhe Hamasi kanë qenë në luftë në Gaza që kur persona të armatosur nga grupi militant palestinez që drejton enklavën sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253.

Izraeli u përgjigj me një fushatë ushtarake në të cilën pothuajse 30,000 palestinezë janë konfirmuar të vrarë, sipas zyrtarëve mjekësorë në Gaza. /Telegrafi/