Ndikimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës mund të fshijë “mbi 69 vjet përparim” në enklavë, kanë paralajmëruar Kombet e Bashkuara në një raport të ri.
Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) tha se pa “heqjen e kufizimeve ekonomike, rimëkëmbje dhe investim, ekonomia palestineze mund të mos jetë në gjendje të rivendosë nivelet e paraluftës dhe të përparojë duke u mbështetur vetëm në ndihmën humanitare”.
“Projeksionet në këtë vlerësim të ri konfirmojnë se mes vuajtjeve të menjëhershme dhe humbjeve të tmerrshme të jetës, po shpaloset gjithashtu një krizë serioze zhvillimi – një krizë që rrezikon të ardhmen e palestinezëve për brezat që vijnë”, tha Achim Steiner, administrator i UNDP-së, shkruan CNN.
Bëhet e ditur se raporti i OKB-së vjen ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken viziton Lindjen e Mesme për të “theksuar nevojën për të hartuar një rrugë të re që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lira nga tirania e Hamasit”, sipas Departamentit të Shtetit.
Ndryshe, raporti i cili shqyrton vlerësimet për territoret palestineze në tërësi, thotë se mbi 4 milionë njerëz në to u prekën nga varfëria në vitin 2024.
Kjo e çon shkallën e varfërisë në 74.3% në të gjithë territoret palestineze.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka akuzuar Izraelin për shkatërrimin pothuajse të plotë të Gazës, duke thënë se ajo “nuk është më e përshtatshme për jetë”.
Ndërkohë, këtë muaj, një hetim i OKB-së akuzoi Izraelin për kryerjen e një “politike të shkatërrimit të sistemit të kujdesit shëndetësor të Gazës”, duke shtuar se politikat e tij “përbëjnë krime lufte”. /Telegrafi/