Telegrafi

Luanin bixhoz, posedonin armë dhe substanca narkotike, në Gjakovë arrestohen 26 persona

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ligjore ndaj 26 personave të dyshuar në Gjakovë, të cilët nuk respektuan orën policore, luanin bixhoz, posedonin një armë dhe substanca narkotike

Në njoftimin e Policisë thuhet se më 28.12.2021, rreth orës 00:30, Policia e Kosovës në Gjakovë ka pranuar një informate se disa persona ndodheshin duke luajtur lojëra të fatit.

“Policia ka reaguar me njësitet e saj policore dhe aty ka hasur 26 persona të dyshuar, të cilët ishin duke zhvilluar aktivitetin e kundërligjshëm”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Gjatë bastisjes dhe kontrollit në lokacion policia ka gjetur një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis.

Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar. Bazuar në ligjin në fuqi të gjithë të dyshuarve iu është shqiptuar nga një gjobë për mosrespektimin e orës policore.

Në vendngjarje ka dalur edhe njësia e hetimeve ku është bërë konfiskimi e armës, sasisë së substancës narkotike dhe të gjitha provat dhe dëshmitë për aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

“Në lidhje me rastin është  informuar edhe prokurori kujdestar ku me urdhër të tij, iniciohen tri vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm” “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt”, njofton Policia. /Telegrafi/