Pas vendimit për tërheqjen e tërësishme të faljes nga ana e Presidentit Ivanov, përmes një komunikate ka reaguar LSDM opozitare, duke e konsideruar këtë vendim si fitore e radhës për Maqedoninë demokratike, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Maqedonia Demokratike e udhëhequr nga Zoran Zaev, sot korri edhe një fitore për kthimin e drejtësisë në vendin tonë, edhe një kapitullim të ri të Nikola Gruevskit. Nën presion të të gjithë qytetarëve mendje lirë të cilët janë në këmbë për kthimin e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë, personi Gjorgje Ivanov tërësisht i shfuqizoi të gjitha vendimet e turpshme, joligjore dhe jokushtetuese për falje. Me këtë u konfirmua se gjithë atë që e ka thënë LSDM-ja është e vërtetë”, thuhet në reagimin e LSDM.
Nga partia e Zaevit theksojnë se edhe pse Ivanov këtë vendim e ka marrë me porosi të Nikolla Gruevskit, qytetarët nuk lejuan që të ketë drejtësi të përzgjedhur.
“Vendimin për falje Ivanov e solli me porosi të Nikola Gruevskit, me qëllim që ta shpëtoj pushtetin kriminel nga përgjegjësia. Por, bashkë me qytetarët nuk lejuam që kjo të ndodh. Nuk mund të ketë drejtësi të përzgjedhur, ligjet patjetër të vlejnë për të gjithë njëjtë. Fjala është fjalë. Ne thamë, faljet e turpshme, joligjore, patjetër të shfuqizohen. Ajo ndodhi. Ne thamë, ka bazë ligjore dhe Kushtetuese për thirrjen e Kuvendit. Dhe ajo ndodhi. Ne thamë se nuk do të ketë zgjedhje kriminele më 5 qershor, dhe ajo u dëshmua.
Nëse dikush nuk e kishte të qartë, nga sot do të jetë e qartë për të gjithë: Drejtësia do të kthehet, ligjet do të vlejnë për të gjithë njësoj, secili që e ka shkelur ligjin do të përgjigjet! Nuk ka shpëtim as për Nikolla Gruevskin as për shokët e tij. “Fjala është fjalë”, porosisin përmes këtij njoftimi nga LSDM./Telegrafi/