Telegrafi

Loret Sadiku në bisedime me Hammarbyn, rikthimi i tij në Suedi është shumë afër

Loret Sadiku do të rikthehet në futbollin suedez pas tetë viteve të kaluara në Turqi.

Mesfushori nga Kosova ishte larguar në vitin 2014 nga Helsingborg për të kaluar tek skuadra turke Mersin.

E nga viti 2016 ai është pjesë e skuadrës së njohur turke Kasimpasa, ku tani e gjashtë vite luan për bardhekaltërtit.

Megjithatë gjashtë muaj para fundit të kontratës së tij, Sadiku ka vendosur të largohet nga Stambolli për tu rikthyer në Suedi, shtet që ia dha të gjitha.

Mediumi suedez, Aftonbladet ka lajmëruar ekskluzivisht se Sadiku është në bisedime me Hammarbyn për t’iu bashkuar kësaj skuadre.

30-vjeçari pas aventurës së suksesshme në futbollin turk ka vendosur për tu rikthyer në Suedi dhe Hammarby duket se ka fituar garën për të.

Gjithnjë sipas mediumit suedez, marrëveshja mes palëve është shumë afër dhe zyrtarizimi i tij pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

Ish-reprezentuesi i Kosovës tek kjo skuadër do të luaj së bashku me sulmuesin e Dardanëve, Astrit Selmani. /Telegrafi/